Veriu me pavarësi ekonomike dhe politike

Rada Trajkovic thotë se Serbia duhet ta qartësojë statusin e Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë. Ajo vlerëson se kjo bashkësi nevojitet të funksionojë në përputhje me ligjet e Kosovës, për të qenë më e fuqishme.

Lajme

09/01/2014 15:04

Rada Trajkovic vlerëson se Beogradi duhet që t’u sqarojë serbëve të Kosovës se si do të funksionojë Bashkësia e Komunave Serbe, nëse komunat në jug të lumit Ibër kanë pranuar të integrohen në sistemin e Kosovës.

Deputetja serbe në Kuvendin e Kosovës ka thënë për mediat serbe se funksionimi i kësaj bashkësie do të paraqesë problem.

“Si do të funksionojë kjo bashkësi? Si do të bëhet koordinimi i serbëve me pozicione të ndryshme sa i përket statusit të Kosovës?”, ka pyetur ajo.

Trajkovic thotë se krijimi i fondit të pavarur në Veri, do të krijojë kushte për një pavarësi ekonomike të kësaj pjese.

“Përderisa do të ketë një fond të ndarë për ndihmë ekonomike në Veri, është normale të pritet që kjo pavarësi ekonomike të sjellë edhe një pavarësi politike”.

Ajo vlerëson se Beogradi duhet të bëjë më shumë që të definojë statusin e kësaj bashkësie për të qenë në funksion për respektimin e të drejtave për të gjithë serbët e Kosovës.

“Vetëm një qasje e tillë do të sigurojë mbijetesë të serbëve në jug të lumit Ibër dhe që objektet tona fetare të vihen në shërbim të besimtarëve, e jo të shndërrohen në objekte historike për atraksion turistik”.

“Marrëveshja e Brukselit tash për tash mbetet një enigmë e madhe për çështjen e serbëve në Kosovë”.

“Bashkësia e Komunave Serbe nuk do të mund të funksionojë si institucion me autoritet të plotë nëse nuk është në përputhje me ligjet e Kosovës. Por të gjitha normativat ndërkombëtare të arritura në nivel të legjislacionit të BE’së, janë më të fuqishme se sa ato të Kosovës”.

“Nëse Brukseli ndërmerr ndonjë vendim për konstituimin e komunave që janë pjesë e Bashkësisë, atëherë Prishtina do të jetë e detyruar ta pranojë”, është shprehur Trajkovic.