Veprimi i paparalajmëruar i Listës Serbe, askush nuk u informua për dorëheqjen e kryetarëve të komunave

Katër kryetarët e komunave serbe, asaj të Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut dhanë sot dorëheqje nga pozitat e tyre.

Lajme

27/11/2018 14:02

Veprimi në fjalë, erdhi në shenjë të pakënaqësisë për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave me prejardhje nga Serbia dhe Bosnja, vendim ky i marrë nga Qeveria e Kosovës, shkruan lajmi.net.

E në ndërkohë që vendimi është bërë i ditur, në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve nuk kanë ende diçka zyrtare.

Këtë e konfirmoi për lajmi.net, Valmir Elezi, zëdhënës i  KQZ-së, teksa shtoi se kompetente në lidhje me këtë është ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Përveq dorëheqjes, katër kryetarët serbë të komunave nënshkruan edhe një deklaratë, ku bëhet thirrje për bojkotimin e institucioneve të Kosovës.

Gonxhe Çaushi, asambliste në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, për lajmi.net ka thënë se shqiptarët janë distancuar nga ky veprim i Listës Serbëve.

Siç ka bërë të ditur ajo, seanca është thirrur për krejt çështje tjera, dhe se asamblistët nuk kanë qenë në dijeni për atë se çfarë po ndodh.

“Seanca është thirrë për diçka tjetër, për zhvillimet politike dhe aspektin e sigurisë në veri, mirëpo kur kemi shkuar në seacnë e kemi kuptuar që ishte përgatitur dorëheqja e Goran Rakiq. Asamblistëve të Rakiqit i është dhënë një lloj vendimi për të nënshkruar bojkotin ndaj institucioneve të Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Çaushi.

“Asamblistëve kosovarë nuk i është dhënë ajo letër, mirëpo edhe po të na ishte dhënë ne nuk do ta kishim nënshkruajtur. Kryetari ka dhënë dorëheqje kurse Kuvendi është në bojkot”, ka shtuar ajo.

Se veprimi i kryetarëve të komunave me shumicë serbe nuk ishte paralajmëruar po e thonë edhe nga ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Zorica Marinkoviq, shefe e Protokollit në Kabinetin e Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, ka thënë se nuk kanë qenë të njoftuar për dorëheqjen.

Lexo edhe:

MAPL: Kryetarët e komunave serbe nuk kanë ofruar dorëheqje

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme në veri të vendi është protestuar në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për taksë ndaj produkteve mes prejardhje nga Serbia dhe Bosnja.

Po ashtu, zyrtarë të Listës Serbe kanë paralëjmruar edhe largimin nga Kuvendi pas zhvillimeve të fundit./E.D/Lajmi.net/