Vengu: Serbia, po ndjek karrigen boshe, Shqipëria nuk ka traktate në dëm të fqinjëve

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, ka thënë se marrëveshja e nënshkruar me homologët e tij nga Kosova dhe Shqipëria për mbrojtje dhe siguri, është një bashkëpunim i natyrshëm mes tre shtetesh sovrane. Në një postim në platformën X, ai ka deklaruar se si aleatë, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia, kanë një vlerësim të njëmendtë…

Lajme

22/03/2025 11:01

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, ka thënë se marrëveshja e nënshkruar me homologët e tij nga Kosova dhe Shqipëria për mbrojtje dhe siguri, është një bashkëpunim i natyrshëm mes tre shtetesh sovrane.

Në një postim në platformën X, ai ka deklaruar se si aleatë, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia, kanë një vlerësim të njëmendtë mbi kërcënimet që synojnë të pengojnë të ardhmen evropiane të rajonit.

“Ndaj kemi vendosur të bashkëpunojmë për të rritur kapacitetet tona mbrojtëse dhe për të mbështetur integrimin e Kosovës në mekanizmat rajonalë”, ka thënë Vengu.

Kurse, ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi në Bruksel se nënshkrimi i një memorandumi ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes paraqet shkelje të një marrëveshjeje nënrajonale dhe shtoi se është pothuajse i sigurt se NATO-ja nuk ishte e informuar për këtë.

Ndërkaq, i pari i Mbrojtjes në Shqipëri, Pirro Vengu, ka deklaruar se Serbia, duke ndjekur prej dy vitesh një politikë të karriges boshe në iniciativat rajonale, “ia ka pezulluar në mënyrë të njëanshme vetes mundësinë për të nxitur ose për të marrë pjesë në konsultime shumëpalëshe”.

“Ky pezullim, që është në dorën e Serbisë të lihet mënjanë, e bën të kotë çdo narrativë viktimizuese që vjen nga qeveria serbe”.

Vengu shtoi se në historinë e saj, Shqipëria nuk ka precedente marrëveshjesh ose traktatesh të fshehta në dëm të fqinjëve, siç e kanë pasur shtete të tjera.

“Për rrjedhojë, krahas kureshtjes së ekspertëve të dramave rajonale dhe atyre që mezi presin të gjejnë një vesh për të dëgjuar rënkime, nuk e kemi aspak problem të publikojmë marrëveshjen trepalëshe”.

Deklarata në fjalë fillon me përmendjen e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme mes tri shteteve, të bazuara në vlerat e përbashkëta, orientimet strategjike dhe angazhimet reciproke drejt sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal.

Ndër tjera, në deklaratë thuhet: “Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin euroatlantik duke mbështetur perspektivën euroatlantike të Kosovës duke ofruar mbështetje për statusin e saj në Partneritetin për Paqe të NATO-s”.