Vendimi i Gjykatës në Hagë për ish-krerët e UÇK-së, Konjufca: Ato përmbajnë gabime, presim të korrigjohen në Apel

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ka folur lidhur me aktgjykimin e fundit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Konjufca ka iu kundërpërgjigj menjëherë ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, duke thënë se ai nuk përmendi 12 mijë…

Lajme

20/10/2026 22:19

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ka folur lidhur me aktgjykimin e fundit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Konjufca ka iu kundërpërgjigj menjëherë ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, duke thënë se ai nuk përmendi 12 mijë shqiptarët e vrarë gjatë luftës në Kosovë.

“Asnjë fjalë nga ministri Gjuriq për 12 mijë shqiptarët e vrarë. Këtë e quaj unë mohim të drejtësisë”, ka deklaruar Konjufca.

Konjufca tha se Kosova ka bashkëpunuar me Tribunalin e Hagës dhe gjykatat e tjera për ndjekjen dhe dënimin e krimeve të luftës, pavarësisht përkatësisë etnike të kryerësve.

Duke folur për Dhomat e Specializuara, Konjufca ka thënë se ato janë themeluar me insistimin e aleatëve të Kosovës dhe si përgjigje ndaj pretendimeve të Serbisë se pjesëtarë të UÇK-së kishin kryer vepra të rënda, përfshirë trafikimin e organeve.

“E kemi ditur që nga fillimi që këto kanë qenë fabrikime me qëllim të diskreditimit të forcës sonë mbrojtëse dhe luftës sonë çlirimtare”, ka deklaruar Konjufca.

Ai ka theksuar se Dhomat e Specializuara kanë sqaruar se UÇK-ja nuk është në gjykim dhe se vendimi nuk synon ta zhvlerësojë luftën çlirimtare apo shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Sa i përket dënimeve të shqiptuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Konjufca ka thënë se, ato përmbajnë gabime dhe se presin që këto të korrigjohen në procedurën e apelit.