Vendimi i Edi Ramës, sot në 17:00
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë të ditur se sot në orën 17:00 do ta bëjë të ditur vendimin e tij për asgjësimin apo jo të armëve kimike të Sirisë në territorin shqiptar.
Lajme
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama njoftoi se do të ndajë publikisht qëndrimin e tij sa i përket armëve kimike siriane, pasditen e sotme në orën 17:00.
Këtë njoftimi Rama e shpërndau nëpërmjet profilit të tij zyrtar në rrjetet sociale Facebook dhe Twitter, në një kohë kur para kryeministrisë dhe në sheshet e vendit janë paralajmëruar protesta kundër armëve kimike.
Dhjetëra persona kanë nisur të grumbullohen para Kryeministrisë, duke iu bashkuar grupit të vogël që e gdhiu para godinës në shenjë proteste ndaj armëve kimike.
Pas kthimit nga vizita në Mal të Zi, mbrëmjen e së enjtes mësohet se Rama ka zhvilluar një tjetër bisedë telefonike me Sekretarin e Shtetit, John Kerry, ndërkohë që po ditën e premte pritet edhe mbledhja e Këshillit Ekzekutiv të Organizatës së Parandalimit të Armëve Kimike, OPAK që do të vendosë vendet dhe mënyrat e shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë.
Mbrëmjen e së enjtes, në Top Channel, Ambasadori Amerikan në Shqipëri, Alexander Arvizu deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar shumë energji për sigurimin e teknologjisë dhe ekspertëve më të mirë botërorë për kryerjen e këtij procesi dhe një “jo” e mundshme do të zhgënjente Uashingtonin.
Paul Walker nga “Green Cross International” deklaroi publikisht se Shqipëria nuk i ka kapacitetet për shkatërrimin e armëve siriane.