Vendimet e Speciales – Nga dënimi për komandant “Ujkun” e ulja e dënimit të Mustafës
E ngarkuar ka qenë puna e Gjykatës Speciale edhe në 2024. Komandant “Ujku” ishte personi i dytë që u shpall fajtor e u dënua me 18 vjet burgim për krime lufte në Kosovë. Pjetër Shala gjatë 2024 përmbylli procesin gjyqësor i nisur prej 1 viti e gjysmë në Dhomat e Specializuara në Hagë. Ai u…
Lajme
E ngarkuar ka qenë puna e Gjykatës Speciale edhe në 2024. Komandant “Ujku” ishte personi i dytë që u shpall fajtor e u dënua me 18 vjet burgim për krime lufte në Kosovë.
Pjetër Shala gjatë 2024 përmbylli procesin gjyqësor i nisur prej 1 viti e gjysmë në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ai u urdhërua që 8 viktimat pjesëmarrëse në proces t’i paguajë mijëra euro. Rastet tjera vazhdojnë të jenë në gjykim e sipër.
Mesi i vitit 2024 solli edhe një dënim tjetër për krime lufte nga Gjykata Speciale në Hagë, ndaj një ish-pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pjetër Shala, ishte personi i parë që u ekstradua nga një shtet evropian për t’u ballafaquar me akuzat për krime të pretenduara gjatë luftës së fundit.
Shala, deri në mars të vitit 2021 kishte jetuar në Belgjikë, e që prej muajit prill u transferua në Hagë, për tu ballafaquar me drejtësinë për akuzat që Zyra e Prokurorit të Specializuar ia ngriti.
Më 16 korrik të 2024, Shala i njohur si komandat “Ujku”, u shpall fajtor e u dënua nga trupi gjykues me 18 vjet burgim, për krime të lufte.
Pas një gjykimi prej një viti e gjysmë, trupi gjykues vërtetoi pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, për 3 nga 4 pikat e akuzës që Shala akuzohej, për periudhën maj – qershor 1999.
“Dënim me 6 vjet burgim për krimin e luftës të ndalimit arbitrar pika 1, dënim me 16 vjet burgim, për krimin e luftës së torturës pika 3 dhe dënim me 18 vjet burgim për krimin e luftës së vrasjes së paligjshme. Trupi gjykues iu dënon me dënim të njehsuar me 18 vjet burgim, në të cilën iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim”, ka deklaruar Mappie Veldt-Foglia – Gjyqtare.
Në arsyetimin e vendimit, trupi gjykues konstatoi se në mënyrë aktive, Shala ka kryer veprat penale ndaj personave që konsideroheshin si të afërt me Serbinë ose që nuk e mbështesnin mjaftueshëm UÇK-në, krime që sipas Prokurorisë u kryen në fabrikën e metalit në Kukës.
Megjithatë ky nuk është vendimi i vetëm që kjo gjykatë morri në rastin e Pjetër Shalës. Për 8 viktima pjesëmarrëse, Shala është i urdhëruar të paguaj shumën prej 208 mijë eurove si kompensim.
“Trupi gjykues gjykon se shumat e kërkuara nga mbrojtësi i viktimave pasqyrojnë shkallën dhe përmasat e dëmit të pësuar nga 8 viktimat dhe janë të arsyeshme sikurse parashikohet nga nenit 22 paragrafi 3 i ligjit”, ka deklaruar gjyqtarja.
Aktualisht vendimi për dënimin e tij, është dërguar në Gjykatën e Apelit. E pikërisht paneli i kësaj shkalle në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në shtator të 2024, ia uli në 15 vjet burgim dënimin ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa.
Mustafa ishte shpallur fajtor e ishte dënuar me 26 vjet burgim, për krime lufte, në dhjetor të vitit 2022, por që Apeli ia uli në 22 vjet në vitin 2023.
2025 ndërkaq pritet të jetë viti vendimtar në rastin më të madh që Gjykata Speciale e gjykon ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.