Vendim i ri për festivalet në Kosovë, Pacolli: Do të jemi të pakompromis në zbatimin e masave

Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka njoftuar se janë miratuar rregulla të reja për organizimin e festivaleve, koncerteve dhe aktiviteteve të tjera publike, me qëllim mbrojtjen e mjedisit. Përmes një postimi në Facebook, Pacolli bëri të ditur se është nxjerrë një vendim që përcakton masa të detyrueshme për çdo…

Lajme

31/07/2026 19:55

Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka njoftuar se janë miratuar rregulla të reja për organizimin e festivaleve, koncerteve dhe aktiviteteve të tjera publike, me qëllim mbrojtjen e mjedisit.

Përmes një postimi në Facebook, Pacolli bëri të ditur se është nxjerrë një vendim që përcakton masa të detyrueshme për çdo organizator të ngjarjeve publike.

Sipas saj, organizatorët do të jenë të obliguar të sigurojnë menaxhim të duhur të mbeturinave, pastrim të plotë të hapësirave pas përfundimit të aktiviteteve, respektim të kufijve të zhurmës, si dhe mbrojtje të ajrit, ujit dhe natyrës.

Pacolli theksoi se, për aktivitetet me ndikim më të madh në mjedis, komunat do të kenë të drejtë të kërkojnë edhe garanci financiare për rehabilitimin e hapësirës pas përfundimit të tyre.

Ajo e cilësoi këtë vendim si një standard të ri të përgjegjësisë mjedisore në Kosovë, duke shtuar se zhvillimi i jetës kulturore dhe argëtuese duhet të ecë paralelisht me mbrojtjen e mjedisit.

“Do të jemi të pakompromis në zbatimin e këtyre masave, sepse një mjedis i pastër është përgjegjësi e përbashkët dhe detyrim ndaj brezave që vijnë”, ka shkruar Pacolli në Facebook.