“Vendi vendoset para dy rreziqeve të mëdha, Amerika është Grenelli për Kosovën”- Analistët flasin pas deklaratës së emisarit amerikan
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë gjithë qeverisjes së tij ka pranuar kritika të shumta në lidhje me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirëpo, sipas tij, këto marrëdhënie nuk kanë qenë kurrë më të mira sesa tani. Së paku kështu pretendoi së fundmi Kurti, i cili gjatë një tubimi zgjedhor në kuadër të…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë gjithë qeverisjes së tij ka pranuar kritika të shumta në lidhje me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mirëpo, sipas tij, këto marrëdhënie nuk kanë qenë kurrë më të mira sesa tani.
Së paku kështu pretendoi së fundmi Kurti, i cili gjatë një tubimi zgjedhor në kuadër të fushatës zgjedhore tha se raportet mes dy vendeve janë më mirë së kurrë më parë.
“Kurrë marrëdhëniet Kosovë-SHBA nuk kanë qenë më të mira se tash”,deklaroi Kurti para pak ditësh.
Por, njëjtë nuk mendoi emisari presidencial për Misione të Posaçme, Richard Grenell, apo njohur ndryshe edhe si njeriu i afërt i Kurtit në administratën Trump I dhe tani në administratën e dytë të SHBA-ve e drejtuar nga ai.
Richard Grenell deklaroi dje se Qeveria Kurti nuk është e besueshme për shtetin amerikan.
Sipas tij, Kurti në vazhdimësi është kritikuar për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme për destabilizimin e rajonit.
Në reagimin e tij në X, që ngjalli reagime të shumta, Grenell ndër të tjera tha se deklarata e Kurtit është tërësisht e pavërtetë derisa porositi kosovarët që të mos mashtrohen.
“Kam shumë miq në Kosovë dhe në Shqipëri dhe shumë miq në Serbi deh në mbarë rajonin. Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë drejt paqes për të gjithë në Ballkan. Por, ne kemi nevojë për partner të besueshëm. Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme as gjatë mandatit të parë të Trump, as gjatë mandatit të Biden. Si republikanët ashtu edhe demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin. Po ashtu edhe për BE-në dhe NATO-n. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit. Kompanitë amerikane po zgjerohen në Shqipëri dhe në Serbi, por nuk po zgjerohen në Kosovë për shkak të Kurtit. Kurti ka qenë kundër çdo ideje amerikane të ofruar nga presidentët Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump. Retorika e përdorur nga Kurti tani, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në, më mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni.”
Kjo cicërimë e Grenell nxiti shumë reagime në vend, duke e parë si diçka të rrezikshme për të ardhmen e Kosovës, në rast se Kurti mbetet në pushtet pas 9 shkurtit.
Në një prononcim për lajmi. net, ish-shefi i AKI-së, Burim Ramadani, tha se deklarata e Grenell duhet të merret shumë seriozisht.
Sipas Ramadanit, në aspektin e sigurisë kombëtare, kjo e vendos Kosovën para dy rreziqeve të mëdha, e ato janë:
- Që Kosova të izolohet Kosova të izolohet dhe mbështetja amerikane të mos jetë e dukshme më as në aspektin e sigurisë e mbrojtjes, ose:
- Që në vitet e ardhshme prezenca ushtarake ndërkombëtare të vendos vet për gjithçka në Kosovë, duke e rikthyer një formë të administrimit ushtarak mbi tërë Kosovën, si pasojë e mosbesimit në Qeverinë kosovare.
“Në kuptimin e sigurisë kombëtare, është terren i rrezikshëm momenti kur administrata amerikane qartëson konkretisht dhe direkt një lider politik si jo-partner. Kjo, për më tepër, kur ky lider politik është Kryeministër dhe garon për t’u rizgjedhur”, tha Ramadani.
Ramadani nënvizoi se qëndrimi amerikan vije pas një kohe të gjatë, kur në vend është transmetuar një narracion se kinse Kosova koordinohet me ShBA nën tavolinë, por që kritikat janë sa për diplomaci.
“Deklarimi i administratës amerikane vjen pas një kohe relativisht të gjatë që në opinionin e brendshëm është lëshuar tregimi që “gjithçka është duke u bërë me Amerikën, ata veç na kritikojnë për diplomaci, por nën tavolinë jemi duke i koordinuar”!
Për këtë zhveshje të këtij tregimi, Ramadani tha se është tregues i pamundësisë së kthimit të të besimit nga shteti amerikan.
“Një situatë e këtillë e zhveshjes së këtij tregimi, domosdoshmërisht flet për pamundësinë e kthimit të besimit nga aleati ynë amerikan”, pohoi Ramadani.
Duke vënë theksin tek fjalia e fundit e Grenell i cili u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës “mos u mashtroni”, Ramadani tha se kjo duhet të merret shumë seriozisht si asnjëherë më parë.
“Kështu, duhet të merret seriozisht dhe më shumë se asnjëherë më parë në konsideratë fjalia nga përfaqësuesi special i Presidentit Trump, kur thotë “Mos u mashtroni”, tha Ramadani.
Kritik ndaj deklaratës së Kurtit ishte edhe ish-diplomati kosovar, Avni Arifi, i cili tha se kreu i ekzekutivit ka mashtruar kur ka thënë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë të mira.
Arifi tha Grenell ka folur ashtu siç është e vërteta, duke theksuar se askush më nuk i beson Kurtit.
“Grenell foli ashtu siç është. Raportet me ShBA kurrë më keq s’kanë qenë dhe askush nga administrata Amerikane por as nga BE nuk i beson më Kurtit. Kurti i ka shpenzuar të gjitha kreditet e besimit”, theksoi Arifi për lajmi.net.
Ndërkaq, duke folur për rëndësinë e Richard Grenell në administratën amerikane, Arifi tha se në mes Kosovës dhe presidentit amerikan, Donald Trump, qëndron Richard Grenell.
”Amerika është Grenelli për Kosovën sepse në mes të Kosovës dhe Presidentit Trump është vetëm Grenelli. Kosova është në portofolion e Grenell dhe ai është përgjegjës për Kosovën”, shtoi ish-ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe.
I pyetur se si mund të jenë raportet mes dy vendeve, Arifi beson se kjo do të varet nga Qeveria e re e Kosovës.
“Raportet e ShBA-së me Kosovën varen se çfarë niveli do te ndërtojë qeveria e ardhshme me Grenell”, përfundoi ai.
Kujtojmë se sot Richard Grenell zyrtarisht morri detyrën e emisarit për misione të posaçme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Urdhri ekzekutiv u nënshkrua nga presidenti amerikan, Donald Trump të hënën në mbrëmje, sipas kohës lokale në ShBA.
Teksa e nënshkroi vendimin, Trump lavdëroi Grenellin për rolin që pati në vendimin për shuarjen e zjarrit në Los Angeles.
“Është njeri i mirë”, tha Trump kur e nënshkroi vendimin. /Lajmi.net/