“Vendi të shkojë në zgjedhje – edhe në mungesën time”

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë në një intervistë për Info Magazine të Klan Kosovës, pas vendimit për mbajtjen e tij në Francë, të paktën edhe për një muaj, se Kosova nuk duhet të mbetet peng në proceset të caktuar për shkak të mungesës së tij, ndaj vendi duhet të shkojë në zgjedhje, përkundër se ai po mbahet në Francë.

Lajme

02/03/2017 18:42

“Jemi në telashe në Kosovë. Gjendja ekonomike, sociale, është e rëndë. Kemi probleme me rend dhe ligj. Kjo është veç ngarkesë për Kosovën. Mendoj që Kosova nuk duhet të mbetet peng, as për mua, as për dikën tjetër”, ka pohuar Haradinaj.

“Le të shkojë vendi në zgjedhje”.

“Me mua, pa mua. Unë do të jem gjithmonë me Kosovën”.

“Nëse dikush po do të më mbaj mua peng që të vonohen proceset, unë kërkoj që të mos ndalen këto procese”, tha ai.

“Jo aprovimi i Zajednicës dhe demarkacionit. Por le të ecë vendi në zgjedhje. Të përtrihen institucionet”.

Haradinaj ka shpalosur pak edhe nga planet e tij për bashkëpunim politik me partitë në Kosovë.

“Unë e kam pasur në plan ta vazhdoj partneritetin me AKR-në. Me Nisman jemi në bashkëpunim. Po ashtu me Ballin Kombëtar kemi biseduar. Por, kuptohet, tani nuk po mund t’i bëj këto bisedime. Por unë jam që vendimi për gjendjen në vend të kaloj tek qytetari”.