Vendi i Tripave
Në Lazarat, çdo vit, prodhohen përafërsisht 900 tonë marihuanë. Policia shqiptare është e pafuqishme, andaj ka kërkuar ndihmë edhe nga partnerë ndërkombëtarë. Në vendin që konsiderohet çiflig droge, vepron vetëm ligji i heshtjes. Reportazh nga AFP.
Lajme
Çdo mëngjes, mijëra burra, gra dhe fëmijë ngjisin rrugën e pjerrët drejt një fshati shqipar që pothuajse fshihet në tym të bardhë, duke shpresuar për të gjetur një punë sezonale në fushat përreth.
Të rinj e të vjetër nga i gjithë vendi, takohen menjëherë pas lindjes së diellit në hyrje të këtij fshati malor, me ajrin e saj të fortë dhe të mbushur me një erë djegës që të zë frymën.
Mirë se erdhët në Lazarat, çifligun famëkeq të prodhimit të kanabisit në Shqipërinë jugore.
Zyrtarët e policisë ndërkombëtare thonë se Shqipëria është bërë furnizuesi kryesor i kanabisit në Europë, shumica prej të cilës vjen nga Lazarati- ku 2 mijë banorët e saj, të ndihmuar nga punëtorët sezonalë, prodhojnë përafërisht 900 ton marihuanë në vit.
Kjo vlerësohet të kap shifrën e 4.5 miliardë eurove, gati një e treta e gjithë ekonomisë së Shqipërisë, thonë ekspertët.
Kanabisi është lëndë narkotike ilegale në shtetet e Ballkanit, por shumë persona thonë që policia nuk është e gatshme apo nuk është në gjendje që të ndërhyjë në Lazarat, pa u bërë ligjet përkatëse.
Shumë të kujdesshëm që të mos përfshijë edhe të pafajshit në një luftim me armë zjarri, deri më tash policia ka inicuar vetëm disa operacione të volga në fshat, ku rojet e armatosura historikisht kanë hapur zjarr ndaj autoriteteve policore.
“Kriminelët kanë përdorur si mburoje njerëzore gratë dhe fëmijët sa herë që policia ka dashur që të intervenonte”, tha për AFP, analisti Aleksander Çipa. “Policia është tërhequr për të shmangur dëmtimin e viktimave të pafajshme”.
“Ligji i heshtjes”
Punëtorët nuk kanë nevojë që të kenë dokumente për t’u punësuar në Lazarat, ndonjëherë as nuk duhet të deklarojnë emrin. Është e mjaftueshme që të tregosh se prej nga vjen.
Furgonat dhe makinat e vogla i marrin ata pas turnit të tyre 12 orësh, nganjëherë ata punojnë edhe më gjatë, për të fituar më shumë.
Retë e tymit të bardhë shihen përgjatë gjithë rrugës, si pasojë e djegies së kanabisit, duke e zhytur gjithë fshatin nën ndikimin e kësaj substance narkotike.
Në fund të ditës, ata futen përsëri në furgonë, duke u ankuar për dhimbje koke, tharje të fytit, të vjellurave dhe për dridhjet e këmbëve dhe të duarve.
Në javët e fundit, së paku 700 punëtorë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në qytetin më të afërt, në Gjirokastër.
Të gjithë pacientët kishin simptoma të ngjajshme dhe “çrregullime serioze si pasojë e ndikimit të kanabisit”, qartë e lidhur me punën e tyre në fushat e Lazaratit, tha doktori nga Gjirokastra, Hysni Luka.
Por në Lazarat, asnjë shikim nuk i shpëton vëmendjes së bosëve në terren të cilët kontrollojnë procesin e prodhimit dhe të korrjes.
“Secili është përgjegjës për vetveten! Rregullat e ligjit të heshtjes”, thotë Genci, një djalosh i guximshëm me vetulla të trasha, që është përgjegjës për punësimin e punëtorëve.
Kanabisi është burimi kryesor i të ardhurave për familjet në Lazarat. Për të mbrojtur të mbjellat kundër konkurencës dhe aksioneve të mundshme të policisë, fshatarët shumë shpesh hapin zjarr në ajër me Kallashnokov, pasi të bie nata dhe punëtorët largohen nga fushat.
Në oborrin e një shtëpie me pamjen e një ferme të fshatit, i rrethuar me mure të larta dhe të mbuluara me gjemba, rreth 30 njerëz punojnë në qetësi.
Puna e tyre: të zhveshin sythet nga bimët e kanabisit të thatë dhe t’i paketojnë dhe t’i ruajnë në qese plastike. Vetëm përshpërima mund të dëgjohen, e nganjëherë ato ndërpriten nga ndonjë e qarë e fëmijëve, prej gëzimit me lot.
“Një kilogram kanabis shitet mirë, rreth 10 euro. Ju poashtu mund ta paguani atë për çdo ditë, që i bie të jetë 17 euro”, tha Lumja, një grua rreth moshës 60 vjeçare.
Ola, një vajzë tre vjeçare, me flokë ngjyrë kafe, luan me gjethet e kanabisit, pranë nënës së saj Drita.
“Mami, Mami, shiko, qesja është e mbushur plot”, thotë ajo, e kënaqur që mund të ndihmojë nënën e saj, duart e së cilës janë të mbuluara me vaj kanabisi, përderisa qëron bimën e kanabisit një nga një.
Për të kursyer para, që t’u dërgojnë familjeve të tyre, shumica e punëtorëve janë shpërngulur në shtëpitë e braktisura në periferi të qytetit.
Një sobë e vogël gazi, një kolltuk i vjetër dhe disa çanta me rroba, janë të vetmet gjëra në dhomën e vogël të Dritës, që është në një ndërtesë të zbrazët me dyer dhe dritare të thyera.
Kjo është një shtëpi e përkohshme, ku ajo së bashku me vajzën e saj e ndajnë me së paku edhe 30 persona të tjerë.
Qindra romë që gjithashtu punojnë në fusha, kanë ngritur një strehimore afër kësaj shtëpie që nuk ka energji elektrike dhe ujë.
Ata që arrijnë të fitojmë më shumë kanë mundësi që t’i ofrojnë vetes që të jetojnë në ndonjë hotel të Gjirokastrës, duke paguar nga një euro për natë, ku ndajnë dhomën me 3-4 njerëz të tjerë.
“Dy kilogramë vlejnë sa dy ton grurë”
Pavarësisht kushteve të këqija, puna në fushat e kanabisit është më fitimprurëse se sa bujqësia e ligjshme.
“Matematika është e thjeshtë: dy kilogramë kanabis vlejnë sa dy ton grurë”, thotë duke qeshur, Arbeni 40 vjeçar.
Sikurse edhe prodhuesit e tjerë të kanabisit në Lazarat, ai refuzon që të tregojë mbiemrin e tij. Por ai me mburrje tregon se ka blerë fara nga Italia apo dhe nga Holanda me çmim prej 4 deri në 10 euro, e cila i jep rendimet prej 0.3 deri 0.5 kilogram kanabis për të shitur.
Një kilogram, shitet mirë, prej 220 deri 250 në Shqipëri, dhe shitet prej 1 mijë deri në 2 mijë euro në tregun europian, thotë ai.
Arbeni insiston se fshatarët merren vetëm me prodhimin dhe paketimin, duke e lënë punën e trafikimit pa emër “ bosët e mëdhenjë që kontrollojnë tregun”.
Paratë e drogës shpëlahen në Shqipëri ose në shtetet e tjera Perëndimore, thotë zyra e Anti-shpëlarjes së parasë, në Shqipëri.
Pavarësisht rolit të Shqipërisë si furnizuesi kryesor, autoritetet policore kapin një sasi të vogël të kanabisit- rreht 10 tonë në vit.
Policia në ndërkohë ka pasur ngecje për t’u përballur me situatën në Lazarat.
Ata së fundmi kanë vendosur postblloqe në rrugën që çon në fshat dhe kanë arrestuar rreth 50 persona të dyshuar që udhëtojnë dhe punojnë në fushat e kanabisit.
Por disa ditë më vonë, ata rrëzuan postblloqet dhe trafiku iu rikthye gjendjes normale.
Kreu i sapo emëruar i policisë nacionale, Artan Didi, ka kërkuar ndihmë ndërkombëtare.
“Ky është një problem kompleks dhe kërkon bashkëpunim në mes të gjitha institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë, jo vetëm të policisë shqiptare”, tha ai menjëherë sapo filloi punën, muajin e kaluar.
(AFP)