Vëllai i Rexhep Selimit privatizoi tokë disa herë më lirë se konkurrentët e tij

Çështja e privatizimit të aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore është bërë temë debati në Kosovë. Për dyshimet rreth këtij procesi, kryesisht në fillime të tij është iniciuar edhe një komision hetimor parlamentar.

Lajme

20/10/2020 14:18

Ish-komandantë të UÇK-së, familjarë të tyre, udhëheqës partish, politikanë, kanë paguar shuma të mëdha parash për të privatizuar asete të ndërmarrjeve shoqërore. Lista e shitjeve të ndërmarrjeve shoqërore që Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka publikuar, ka nxjerrë në pah emra të ish-komandantëve dhe shuma të mëdha parash që janë paguar gjatë këtij procesi, shkruan lajmi.net.

Në listën e aseteve të AKP-së gjendet edhe emri i Ilaz Selimi, vëllai i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Në Kosovën e pas luftës, por edhe para saj, Ilazi ka luajtur një rol kyç në proceset politike dhe nacionale.

Përmes metodës me spin off special, në procesin e privatizimit, në vitin 2006 e ka privatizuar fabrikën e farërave, në Klinë, në vlerë prej 200 mijë euro.

Fabrika i përkiste ndërmarrjes shoqërore “Dardania” ose emri i ndërmarrjes së re ka qenë “Sead Factory”. Sipërfaqja e objektit ka qenë 6,170.00 m2. Sipërfaqja e tokës 34, 449.00 m2. Çmimi i blerjes 201 mijë e 999 euro. Fabrika është funksionale dhe sot merret me kultivimin e drithërave.

Ndërkohë në gusht të vitit 2009, Ilaz Selimi, ka privatizuar edhe një hapësirë, tokë bujqësore, prej 1,938, 747.00 metra katrorë në vlerë prej 101 mijë e 999 mijë euro, ose fiks 100 mijë euro më lirë se sa blerja e fabrikës. Toka i përkiste ndërmarrjes “Prodhimtaria Bujqësore Malizhgan” që ishte në fshatin Jashanicë të Klinës.  Çmimi për njësi i privatizimit, sipas raportit të AKP-së, ka qenë 5 euro e 25 cent, ose çmimi për hektar 526 euro e 12 cent.

Gjokë Duhanaj, një qytetarë nga Klina kishte lidhur kontratë me AKP-në me 7 gusht 2009. Kontrata ishte lidhur të njëjtën ditë me Selimin, pasi i përkiste të njëjës ndërmarrje, por toka ishte në fshatin Binxhë, jo në Jashanicë. Ndryshe nga Selimi, Duhani 1 ari e ka blerë për 16 euro e 52 cent, ose 1651 euro e 58 centë një hektar. E gjithë toka e blerë ishte 1, 409, 207.00 m2 e blerë për 232 mijë  e740 euro.

Po në fshatin Jashanicë, nga Ndërmarrja shoqërore “Prodhimtaria Bujqësore Malizhgan” kishte blerë tokë edhe NPT “Gllareva”. Kjo blerje i përkiste një vale tjetër të privatizimit, ose kontrata ishte lidhur në vitin 2012. Një ari është blerë për 14 euro e 17 cent, ose 2, 330, 934.00 m2 për 330 mijë e 330 euro.

Malishgani në dorë të Selimëve  

Hise në tokën e Ndërmarrjes “Prodhimtaria Bujqësore Malizhgan” ka edhe familja e ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, i cili është djali i axhës së Rexhep Selimit.

1, 117, 595 m2 është toka që kompania në pronësi të vëllezërve të Sylejman Selimit “Mirusha” SHPK, e ka privatizuar në vitin 2014 nga ndërmarrja “Prodhimtaria Bujqësore Malizhgan”, në vlerë prej 164 mijë e 580 eurove. Çmimi për një ari, është shitur 14 euro. Po nga kjo ndërmarrje, në vitin 2012 kanë blerë 3,058, 256.00 m2 tokë bujqësore për 390 mijë e 390 euro, ose pak më shumë se 12 euro një ari.

Kompania “Mirusha” e vëllezërve të ish-komandantit të UÇK-së kanë bërë edhe disa prona tjera shoqërore në Klinë.

Nga ndërmarrja “KB Lavra -Drejtoria e vjetër” është privatizuar një ndërtesë administrative bashkë me tokë. Vlera e saj ka qenë 101 mijë e 101 euro. /Lajmi.net/