Veliu i përgjigjet ashpër Sveçlës, e akuzon për hyrje në dhomën e përgjimeve

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Agim Veliu i është përgjigjur paraardhësit të tij nga VV në ministri, Xhelal Sveçla në lidhje me akuzat e këtij të fundit për tenderë të dyshimtë në MPB, e të cilët sipas pretendimeve ishin duke u hetuar nga Taskë Forca kundër korrupsion.

Lajme

27/10/2020 20:13

Veliu në kundërpërgjigjen e tij përmes një postimi në Facebook, ka folur me një gjuhë shumë të ashpër, duke thënë se Sveçla duhet të jap llogari për hyrjen në dhomat e përgjimeve dhe  lënien hapur të kasafortës ku gjendeshin dokumente të klasifikuara, shkruan lajmi.net.

“Xhelal Sfeçla me shokë, në vend se të turpërohet që la qytetarët e Kosovës pa targa dhe pa dokumente të tjera personale, po bën përpjekje dëshpëruese, të shoqëruara me gënjeshtra, me qëllim të manipulimit të opinionit publik për këtë proces.  Njeriu, i cili gjatë qëndrimit të tij në MPB, nuk kreu asnjë punë përveç që dha leje të lëvizjes për dostat e tij, në vend se të jap llogari për hyrjet në dhomat e përgjimeve dhe për kasafortën ku gjendeshin dokumente të klasifikuara që e la të hapur kur doli, gjen kohë dhe pa fije turpi del në një emision dhe hedh akuza për procedura e tenderë, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me mua”, ka thënë ai.

“Për hir të informimit të drejtë të opinionit publik, ju informoj se procedura e prokurimit për “Furnizim emergjent me targa të automjeteve” nuk bëhet në baza mujore, ndërsa çmimi i tyre caktohet në bazë të targave për njësi”, ka shkruar tutje Veliu.

Ai ka mohuar se procedurat kanë çmimin tri herë më të shtrenjtë.

“Furnizimet emergjente me targa janë me çmime më të lira, krahasuar me kontratën e rregullt të vitit 2016, pra është i pavërtetë pretendimi se procedurat e tjera kanë çmimin tri herë më të shtrenjtë”, ka thënë Veliu.

“Ministria e Punëve të Brendshme, përmes procedurës së hapur ka iniciuar aktivitetin e prokurimit “Furnizimi me targa të automjeteve” në vitin 2018, vit në të cilin unë nuk isha ministër”, ka shtuar ai.

Veliu ka thënë se në fund njëjti aktivitet është në procedurë ankimore dhe në bazë të legjislacionit në fuqi, Autoriteti Kontraktues nuk mund të iniciojë dy aktivitete të prokurimit për të njëjtën çështje në të njëjtën kohë. /Lajmi.net/