Veliu “godet” Abdixhikun dhe Osmanin, kërkon zgjedhje të brendshme në LDK: Një parti serioze nuk ringrihet duke festuar humbjet si fitore morale

Ish-deputeti i LDK-së dhe ish-kryetari i degës së kësaj partie në Podujevë, Agim Veliu ka dal me një reagim pas rezultati zgjedhor. Veliu ka kritikuar ashpër kryetarin e kësaj partie, Lumir Abdixhikun dhe bartësen e listës në zgjedhjet e fundit, Vjosa Osmani, për rezultatin e dobët që mori LDK, transmeton lajmi.net. Ai ka kërkuar që…

Lajme

18/06/2026 20:06

Ish-deputeti i LDK-së dhe ish-kryetari i degës së kësaj partie në Podujevë, Agim Veliu ka dal me një reagim pas rezultati zgjedhor.

Veliu ka kritikuar ashpër kryetarin e kësaj partie, Lumir Abdixhikun dhe bartësen e listës në zgjedhjet e fundit, Vjosa Osmani, për rezultatin e dobët që mori LDK, transmeton lajmi.net.

Ai ka kërkuar që të niset një proces zgjedhor të rregullt dhe transparent brenda partisë. Ai tha se një parti serioze nuk ringrihet duke festuar humbjet si fitore morale.

Postimi i plotë: 
Rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit, përfundimisht, nuk mund të maskohet me interpretime kreative apo të paraqitet si sukses.
Qytetarët folën qartë, ndërsa LDK-ja mbeti e betonuar në vendin e tretë, larg pritjeve që vetë lidershipi krijoi gjatë fushatës zgjedhore dhe para saj.
Për dështimin e radhës, përgjegjësia politike bie para së gjithash mbi Lumir Abdixhikun dhe Vjosa Osmanin, të cilët ishin arkitektët kryesorë të këtij projekti politik, i nisur në fillim me hile.
Prandaj, kur kërkohen meritat për çdo sukses, duhet të merret edhe përgjegjësia për dështimet.
U shpërfillën paralajmërimet e veprimtarëve, aktivistëve dhe figurave të shumta të LDK-së për centralizimin e partisë, margjinalizimin e mendimit ndryshe, largimin nga baza elektorale dhe së fundmi përzgjedhjen e kandidatëve sipas shijes dhe interesave personale e grupore.
Rezultati zgjedhor dëshmoi se ato shqetësime nuk ishin të pabaza.
Lidershipi aktual duhet ta pranojë dështimin e projektit të tyre për transformimin dhe përvetësimin e partisë sepse e morën përgjigjen nga elektorati.
LDK-ja ka nevojë për më shumë se reflektim formal. Ka nevojë për përgjegjësi konkrete.
Prandaj, është momenti i fundit të niset një proces zgjedhor i rregullt dhe transparent, duke hapur rrugë për figura politike që janë të dëshmuara, që gëzojnë mbështetje të gjerë dhe që interesin e partisë e vendosin mbi interesat personale apo grupore.
Një parti serioze nuk ringrihet duke festuar humbjet si fitore morale. Ajo ringrihet duke analizuar gabimet, duke rikthyer demokracinë e brendshme dhe duke vendosur standarde të qarta të llogaridhënies.
Nëse LDK-ja dëshiron të rikthejë besimin e humbur, ndryshimi duhet të fillojë nga maja e saj. Sepse partitë nuk dobësohen nga humbjet zgjedhore, por nga refuzimi për të nxjerrë mësime prej tyre.
LDK duhet t’i kthehet LDK-së dhe LDK-istëve të saj.
Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës!/lajmi.net/