Veliaj, i PS, dhe Kosova, i PD, në garë për Tiranën

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë shpallur pasditen e sotme kandidatët përkatës për Bashkinë e Tiranës.

Lajme

16/04/2015 20:14

Në kampin e opozitës, Lulzim Basha prezantoi Halim Kosovën, ndërsa Partisa Socialiste, përkatësisht kreu i saj, Edi Rama zyrtarizoi Erjon Veliajn.

Basha tha se qyteti i Tiranës kërkon “një përqasje dhe një përkushtim të ri” dhe për këtë arsye kandidati i PD-së do të jetë një mjek e jo një politikan.

“Duam një mjek dhe jo një politikan thotë zëri i qytetarëve, dhe unë i pari dua ta respektoj këtë, duke ofruar po kështu njeriun e ndershëm dhe menaxherin e sprovuar, i cili luftoi korrupsionin kudo ku iu dha mundësia e menaxhimit. Njeriu që ka jetuar dhe jeton në qytetin e Tiranës, që iu ka shërbyer nënave, vajzave. Unë jam me fat që këtë përgjegjësi që tejkalon çdo atribut politik, këtë gjithëpërfshirje të vërtetë qytetarësh (se me fjalën gjithëpërfshirje kanë abuzuar sot), në verdikt të kandidimit të kandidatit tonë ta bëjë publike, ju tashmë e dini, është doktor Halimi, doktor Halim Kosova”, tha kreu i PD-së.

Halim Kosova tha se kjo është një detyrë me përgjegjësi që ka nisur qysh tani ta lërë pa gjumë natën. Ai falënderoi qytetarët për mbështetjen që i kanë dhënë këto ditë.

Ndërkaq, selia e PS-së ishte më e vakët në prezantim. Zyrtarisht emri i Erjon Veliajt është prezantuar nga kryeministri Edi Rama, i cili nuk ka preferuar të flasë gjatë për këtë çështje.