Vdes punëtori që u lëndua gjatë orarit të punës, KEK: Punoi për më shumë se 36 vite, do të kujtohet për sjelljen e tij shembullore në punë

Korporata Energjetike e Kosovës, ka njoftuar se dje rreth orës 23:00, ka ndërruar jetë punonjësi i KEK-ut, Milazim Binaku. Ai ishte punonjës i KEK-ut, që sipas tyre ishte i sistemuar në vendin e punës “Axhustator” në Fabrikën e Pajimeve Xehtare “Kosovamont”, në kuadër të Divizionit të Prodhimit të Qymyrit (DPQ). “Gjatë kryerjes së detyrave të punës,…

Lajme

16/07/2026 12:03

Korporata Energjetike e Kosovës, ka njoftuar se dje rreth orës 23:00, ka ndërruar jetë punonjësi i KEK-ut, Milazim Binaku.

Ai ishte punonjës i KEK-ut, që sipas tyre ishte i sistemuar në vendin e punës “Axhustator” në Fabrikën e Pajimeve Xehtare “Kosovamont”, në kuadër të Divizionit të Prodhimit të Qymyrit (DPQ).

“Gjatë kryerjes së detyrave të punës, më datë 08.07.2026, në Fabrikën e Pajimeve Xehtare në Palaj, i ndjeri pësoi lëndime të rënda trupore. Pas trajtimit mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, fatkeqësisht nuk arriti t’u përballojë lëndimeve të marra. Milazim (Baki) Binaku ishte i punësuar në KEK nga data 14.05.1990 dhe për më shumë se 36 vite dha kontribut të çmuar profesional në Korporatë. Ai do të kujtohet me respekt për përkushtimin, përgjegjësinë, korrektësinë dhe sjelljen e tij shembullore në punë, si dhe për raportet e mira kolegiale që ndërtoi ndër vite”, ka njoftuar KEK-u.

Varrimi i tij do të bëhet sot më datë 16 korrik, me kohën e ikindisë në varrezat e fshatit Lum i Madh të Vushtrrisë.

“Familjes Binaku, të afërmve, miqve dhe kolegëve të të ndjerit u shprehim ngushëllimet më të sinqerta. I përjetshëm qoftë kujtimi për Milazim (Baki) Binakun”, ka njoftuar KEK-u. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: