Vdes atdhetari Rexhep Balidemaj

Në moshën 102-vjeçare ka ndërruar jetë Rexhep Gali Balidemaj, një figurë emblematike e qëndresës dhe atdhetarizmit shqiptar i njohur si “Mandela i Plavës dhe Gucisë”. Për vdekjen Balidemajt ka njoftuar nëpërmjet një postimi në facebook, djali i tij Naim Balidemaj. “Me dhimbje të thellë njoftojmë se më 8 qershor 2025, ndërroi jetë në moshën 102-vjeçare…

Lajme

08/06/2025 12:00

Në moshën 102-vjeçare ka ndërruar jetë Rexhep Gali Balidemaj, një figurë emblematike e qëndresës dhe atdhetarizmit shqiptar i njohur si “Mandela i Plavës dhe Gucisë”.

Për vdekjen Balidemajt ka njoftuar nëpërmjet një postimi në facebook, djali i tij Naim Balidemaj.

“Me dhimbje të thellë njoftojmë se më 8 qershor 2025, ndërroi jetë në moshën 102-vjeçare i dashuri ynë Rexhep Gali Balidemaj (19 dhjetor 1922 – 8 qershor 2025) Një jetë e gjatë, e përkushtuar ndaj vlerave të larta njerëzore. Varrimi dhe ceremonia e lamtumirës do të bëhen me njoftim të mëvonshëm. Për më shumë informata do të kontaktoheni në vijim”, ka shkruar ai.

Rexhep Gali Balidemaj, lindi më 19 dhjetor 1922 në fshatin Martinaj të Gucisë, nga Gal Shabani dhe Sutë Goçaj – Balidemaj, në një familje të njohur për angazhimin e saj atdhetar.

Në vitin 1941, ai u regjistrua në gjimnazin e Tiranës me ndihmën e ministrit Qazim Koçulli. Atje u lidh me grupe rinore antifashiste dhe mori pjesë aktive në aksione kundër pushtuesve.

Në vitin 1943, u bashkua me radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, duke luftuar deri në Trieste të Italisë.

Pas Luftës së Dytë Botërore, ai ndoqi një karrierë ushtarake. Në vitin 1946, u dërgua në Kiev për t’u trajnuar si pilot, duke u bërë piloti i parë shqiptar i aviacionit ushtarak. Në vitin 1948, filloi punën si pilot në Zagreb.

Pas Rezolutës së Informbyrosë, ai u identifikua si mbështetës i Shqipërisë dhe u arrestua në vitin 1949, duke vuajtur një dënim prej 6 vjetësh në Goli Otok, një nga burgjet më famëkeqe të ish-Jugosllavisë. Pas kësaj, ai u arrestua dhe u dënua edhe pesë herë të tjera për veprimtari atdhetare, duke kaluar gjithsej mbi 16 vjet në burgje të ndryshme të ish-Jugosllavisë .

Në vitin 1983, RexhepBalidemaj u bë pjesë e një grupi të quajtur “treshja”, një formë e organizimit të fshehtë për të shmangur infiltrimin e shërbimeve sekrete. Ai u arrestua sërish dhe u dënua me 5 vjet burg për agjitacion dhe propagandë armiqësore. Pas një angazhimi të avokatit Bajram Kelmendi, dënimi u ul në 3 vjet, të cilat i vuajti në burgjet e Prishtinës, Gjilanit dhe Gjurakovcit .

Pas çlirimit të Kosovës, ai vazhdoi angazhimin e tij për çështjen kombëtare. Në vitin 2024, ai u nderua me mirënjohje nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” për kontributin e tij të jashtëzakonshëm.

Në vitin 2025, ai u takua me gjeneralin amerikan Wesley Clark, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e tij gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 .

Rexhep Balidemaj mbetet një simbol i qëndresës dhe atdhetarizmit për shqiptarët e Plavës, Gucisë dhe mbarë kombit shqiptar. Populli i Plavës e Gucisë e nderon me krenari si “Mandela i Plavës dhe Gucisë” për jetën e tij të shërbyer në dobi të çështjes kombëtare.