Vdes amerikani i parë nga ebola, Teksasi në panik

Thomas Eric Duncan, amerikani i parë i prekur me virusin ebola ka ndërruar jetë në spital. Autoritetet shëndetësore në spitalin e  Teksasit kanë njoftuar se pacienti i parë i diagnostikuar me ebola në SHBA ka vdekur të mërkurën.

Bota

08/10/2014 20:07

Ai u shtrua në spital pasi mbërriti  në Teksas nga Liberia, më 20 shtator, për të vizituar familjen dhe të afërmit tjerë të tij. Ndërkohë autoritetet në SHBA kanë  njoftuar për vendimin rreth kontrolleve që do t’ju nënshtrohen të gjithë udhëtarët që arrijnë në SHBA nga Afrika Perëndimore.

Sipas raporteve më të reja nga Teksasi, dyshohet se i infektuari Duncan ka pasur kontakte me rreth 80 njerëz para se të konstatohej se vuan nga ebola. Deri tash konsiderohej se ai ka pasur kontakt me 18 njerëz.

Familja e të vdekurit Duncan është izoluar dhe do të qëndrojë në izolim deri më 19 tetor, deri kur zgjat periudha e inkubimit.

Ebola vdekjeprurëse ka vrarë deri më tani më shumë se 3,400 njerëz në Afrikën perëndimore.