Vdekjet e punëtorëve në KEK, Ramadani: Ky është dështim total dhe kriminal i shtetit
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani ka reaguar pas vdekjes së edhe një punëtori në Korporatën Energjetike të Kosovës. Ai ka thënë se vetëm brenda tri ditëve të fundit, dy punëtorë të KEK-ut kanë humbur jetën në krye të detyrës. “Sot na tronditi vdekja tragjike e Arbenit Ahmetit nga kontakti me rrymën, ndërsa tri ditë më…
Lajme
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani ka reaguar pas vdekjes së edhe një punëtori në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Ai ka thënë se vetëm brenda tri ditëve të fundit, dy punëtorë të KEK-ut kanë humbur jetën në krye të detyrës.
“Sot na tronditi vdekja tragjike e Arbenit Ahmetit nga kontakti me rrymën, ndërsa tri ditë më parë humbëm teknikun Haxhi Gojnovci. Sikur të mos mjaftonte kjo javë e përgjakshme, vetëm një muaj më parë në po këtë korporatë vdiq edhe punëtori Milazim Binaku. Tre punëtorë të vdekur në një ndërmarrje publike brenda pak javësh. Ky është dështim total dhe kriminal i shtetit.”, ka shkruar ai.
Ai ka kritikuar parinë në pushtet për gjendjen e punëtorëve në vend.
“Derisa partia që doli e para nga zgjedhjet në rahatinë e vet vazhdon bllokadën ndaj shtetit, punëtorët tanë po shkojnë në punë pa e ditur se a do të kthehen të gjallë në shtëpi. Ku mbeti premtimi i madh i kësaj Qeverie për rritjen e numrit të inspektorëve dhe sigurinë në punë? Mbi 17 familje në Kosovë janë në zi vetëm gjatë këtij viti. Ndërmarrjet tona publike janë shndërruar në zona rreziku për shkak të mungesës së kushteve bazike dhe menaxhimit të paaftë politik. Ngushëllimet më të thella familjeve Ahmeti, Gojnovci dhe Binaku. Buka e gojës nuk guxon të paguhet me jetë njerëzish!.”, ka thënë ai.