Vdekja e të miturit që ra në lumin e Gadimes, Prokuroria në pritje të rezultateve të autopsisë

Një fëmijë nga Gadimja e Lipjanit, dje ka humbur jetën pasi ka rënë në lumin e Gadimes. Zejn Zejnullahu, mbrëmë është raportuar i zhdukur nga familjarë e të afërm të tij, të cilët thanë, se ai nuk ishte kthyer në shtëpi pas shkollës. I njëjti ishte gjetur pak orë më vonë, në lumin e Gadimes.…

Lajme

28/01/2026 11:37

Një fëmijë nga Gadimja e Lipjanit, dje ka humbur jetën pasi ka rënë në lumin e Gadimes.

Zejn Zejnullahu, mbrëmë është raportuar i zhdukur nga familjarë e të afërm të tij, të cilët thanë, se ai nuk ishte kthyer në shtëpi pas shkollës.

I njëjti ishte gjetur pak orë më vonë, në lumin e Gadimes.

Menjëherë ai ishte dërguar në QKUK, por që mjekët aty kanë thënë se ai ishte dërguar pa shenja jete dhe pavarësisht tentimeve për ta rikthyer në jetë, ai nuk ia doli.

“Pacienti ka ardhë pa shenja jete, përkundër masave ranimuese pacienti ka ndërruar jetë”, tha doktoresha Dafina Basholli.

Në lidhje me rastin, sot detaje ka dhënë edhe Policia e Kosovës, përmes raportit 24 orësh.
“Lipjan 27.01.2026-NN. Lidhur me rastin, pas pranimit të një informate se viktima mashkull kosovar nuk është kthyer në shtëpi, ka filluar kërkimi i tij me çrast nga dëshmitari mashkull kosovar i njëjti është gjetur në lum. Viktima me autoambulancë është transportuar në QKUK-Prishtinë, ku më pas ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Ndërsa në vendin e ngjarjes ka dalë njësitet përkatëse, dhe vendim të prokurorit trupi i pajetë dërgohet në IML për obduksion”, ka thënë Policia e Kosovës. 
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në një përgjigje për lajmi.net, ka thënë se menjëherë sapo kanë marrë informacionin, Prokurori i Shtetit në Departamentin për të Mitur, kanë dal në vendngjarje.
Ata kanë thënë se e kanë autorizuar që trupi i pajetë të dërgohet për autopsi, dhe se po i presin rezultatet.

“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë, se Prokurori i Shtetit në Departamentin për të Mitur, menjëherë pas marrjes së informatës, ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me hetuesit policorë. Po ashtu, Prokurori i Shtetit ka autorizuar që trupi i pajetë të dërgohet për autopsi, dhe aktualisht ende jemi në pritje të rezultateve të saj”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala. 

Zejn Zejnullahu, ishte nxënës në shkollën fillore “Zejnel Hajdini” në Gadime.

Ngushëllime për vdekjen e tij, mbrëmë kanë shprehur edhe i pari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti dhe ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci. /Lajmi.net/