Vdekja e dyshimtë e të riut nga Lipjani- ja çfarë thuhet nga Policia
Agon Zejnullahu është i riu nga Lipjani i cili vdiq në orët e para të së hënës. Zejnullahu raportohet të ketë ndërruar jetë në rrethana të dyshimta. Në lidhje me këtë rast është deklaruar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci. Borovci tha se viktima pak para se të humbte jetën, dyshohej…

Lajme
Agon Zejnullahu është i riu nga Lipjani i cili vdiq në orët e para të së hënës.
Zejnullahu raportohet të ketë ndërruar jetë në rrethana të dyshimta.
Në lidhje me këtë rast është deklaruar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Borovci tha se viktima pak para se të humbte jetën, dyshohej se ishte nën ndikim të alkoolit dhe po sulmonte automjete e kalimtarë në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan.
“Sot, rreth orës 00:15, Policia ka pranuar informacionin se një person, që dyshohej të ishte nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte automjete dhe kalimtarë në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan. Njësitë policore kanë reaguar menjëherë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili i ka ofruar ndihmën e parë personit në fjalë. Përkundër përpjekjeve, është konstatuar se ai kishte ndërruar jetë”,deklaroi ai.
Sipas Borovcit, me vendim të Prokurorit është iniciuar hetim penal në lidhje me rastin.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante hetimore dhe Prokurori për Krime të Rënda. Janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e rastit, përfshirë sigurimin e provave materiale dhe intervistimin e dëshmitarëve. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetim penal lidhur me rastin, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, tha Borovci.
Në lidhje me këtë rast ngushëllime kanë shprehur edhe nga Komuna e Lipjanit.
“Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, në emër të institucioneve komunale, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të Agon Zejnullahut nga fshati Banullë.E nderuar familje Zejnullahu: Me pikëllim të thellë morëm lajmin për humbjen e parakohshme të më të dashurit tuaj Agon Zejnullahut, Kjo ngjarje e rëndë ka prekur thellë jo vetëm familjen tuaj, por edhe gjithë qytetarët e Komunës së Lipjanit.Në këto momente të dhimbshme, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Zejnullahu, të afërmit, miqtë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin Agonin.”/Lajmi.net/