Tragjedia me 27 vjeçarin në Lipjan, cilësohet si “vdekje në duar të shtetit”- njohësit e çështjeve kërkojnë reagim e dorëheqje
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të 7 korrikut dhe ka tronditur mbarë opinionin publik. Një 27-vjeçar, nga komuna e Lipjanit, dyshohet të ketë vdekur në rrethana të dyshimta, krejt kjo pasi pesë policë ishin munduar ta arrestonin e të cilët nga pamjet e publikuara dje dhe sot shfaqeshin mbi trupin…

Lajme
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të 7 korrikut dhe ka tronditur mbarë opinionin publik.
Një 27-vjeçar, nga komuna e Lipjanit, dyshohet të ketë vdekur në rrethana të dyshimta, krejt kjo pasi pesë policë ishin munduar ta arrestonin e të cilët nga pamjet e publikuara dje dhe sot shfaqeshin mbi trupin e tij.
Në këtë pikë, rasti është cilësuar si “vdekje nga pakujdesia”, e për këtë arsye fillimisht pesë zyrtarët ishin suspenduar nga IPK-ja, ndërsa pas disa orësh u ndaluan me urdhër të prokurorit për 48-orë.
Për këtë rast pati reagime të shumta nga zyrtarë e madje së fundmi reaguan edhe nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se kushdo që është fajtor do të përballet me drejtësinë si dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila tha se autopsia e të ndjerit tashmë ka përfunduar.
Gjithashtu, për rastin ka reaguar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila ka kërkuar hetim të menjëhershëm të rastit. Ajo ka thënë se secili zyrtar që mund të ketë shkelur ligjin apo tejkaluar kompetencat duhet të vihet përpara drejtësisë pa asnjë vonesë.
Rasti i cili ndodhi dje, ku i vdekur mbeti 27 vjeçari Agon Zejnullahun, Ehat Miftaraj nga Instituti të Kosovës për Drejtësi, për lajmi.net, e ka cilësuar të njëjtë sikurse të Astrit Deharit, i cili sipas tij e kishte gjetur vdekjen në dorë të shtetit.
“Në një shtet ligjor, edhe sikur policia të mos ketë pasur fare dorë në vdekjen e të riut, në çdo rast kur kemi vdekje në rrethana të dyshimta, është standard minimal që Ministri I Punëvë të Brendshme të shpreh keqardhje për vdekjen dhe të kërkoj sqarimin e rrethanave. Fatkeqësisht, partia në pushtet qytetarët e Kosovës po i ndanë në votues apo përkrahës të saj dhe qytetarë të tjerë”, ka thënë Miftaraj.
Ai theksoi se në këtë rast të rëndë, partia në pushtet po zbaton standarde të dyfishta dhe jo parimore, krejt kjo pasi siç thotë Miftaraj në kohën kur VV-ja kishte kërkuar sqarimin e rrethanave të vdekjes së Deharit, në rastin e Zejnullahut po hesht.
“Policia e Kosovës meriton besimin e publikut dhe qytetarëve. Sjelljet e disa policeve nuk duhet të zbehin besimin e publikut në këtë institucion. Sikurse publiku me të drejtë duhet të kërkoj llogari, përgjegjësi si nga Policia e Kosovës ashtu edhe vet MPB dhe Qeveria”, thekson ai.
Miftaraj ka përmendur edhe reduktimin e kohës së trajnimit të policëve për të cilën thotë se është mjaft kohë e shkurtër për siguruar një polici profesionale, derisa u shpreh se dorëheqja e ministrit në detyrë Xhelal Sveçla do të ishte minimumi i një ministri që interesin e publikut e vë në dorë të parë para interesave personalë dhe partiake.
“Problemet në Policinë e Kosovës kanë filluar nga koha kur qeveria ka reduktuar kohën e trajnimit në tre muaj që është shumë kohë e shkurtër për të siguruar një polici profesionale. Dhe për këtë faturën duhet ta paguaj Kryeministri Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme. Një dorëheqje morale nga ministri Sveçla do duhej të ishte minimumi i një ministri që interesin e publikut e vë në dorë të parë para interesave personale dhe partiake”, thotë Miftaraj.
Po ashtu rreth këtij rasti, për lajmi.net, është deklaruar edhe eksperti i sigurisë Bedri Elezi, i cili tha se rasti i Agon Zejnullahut është një tragjedi që ka tronditur opinionin publik dhe padyshim kërkon hetim të plotë, të pavarur dhe transparent, si dhe përgjegjësi të plotë institucionale.
Sipas Elezit, në rast se hetimet e pavarura vërtetojnë se ka pasur neglizhencë institucionale, mungesë protokolli apo mbulim të rastit, atëherë ajo që do të duhej të bëhej nga ministri në detyrë Xhelal Sveçla do të ishte dorëheqja e tij nga pozita si dhe e zyrtarëve të lartë të Policisë, duke e konsideruar si një akt minimal i përgjegjësisë publike.
“Nëse hetimet e pavarura vërtetojnë se ka pasur neglizhencë institucionale, mungesë protokolli apo mbulim të rastit, atëherë dorëheqja e ministrit Sveçla dhe zyrtarëve të lartë të Policisë do të ishte një akt minimal i përgjegjësisë publike. Për më tepër, fakti që rasti doli në dritë vetëm pas publikimit të videos në media tregon një mungesë transparence serioze”, ka thënë Elezi.
Ndryshe sipas ekspertit të sigurisë dorëheqja nuk duhet të shihet vetëm si dënim, por si standard moral dhe sinjal që institucionet nuk tolerojnë abuzimin me pushtetin apo shkeljen e të drejtave të qytetarëve.
Por sa janë të aftë në këto raste zyrtarët policor, siç thotë Elezi aftësia e tyre në situata të ndjeshme varet nga disa faktorë, të cilat janë të renditura si më poshtë:
-Trajnimet që marrin, mbikëqyrja profesionale, respektimi i standardeve të përdorimit të forcës dhe kultura organizative brenda Policisë së Kosovës.
Derisa siç thotë ai nga rasti në fjalë duket se ka munguar: “vlerësimi i rrezikut real që paraqiste i riu; ka pasur tejkalim të autorizimeve ligjore në përdorimin e forcës; nuk është ndjekur një protokoll i qartë për arrestim të sigurt dhe human”.
“Pra, problemi nuk është vetëm individual. Ka tregues serioz për mangësi sistematike në trajnime dhe në zinxhirin komandues. Kjo kërkon reformë të thellë dhe vlerësim të menjëhershëm të kapaciteteve dhe etikës së zbatimit të ligjit”, ka theksuar për lajmi.net, Elezi.
Gjatë ditës u raportua se në Inspektoratin Policor të Kosovës që po e heton rastin me autorizim të Prokurorisë, kishte arritur raporti fillestar i Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML).
Ku siç raportohej thuhej se “raporti preliminar, konstaton në përgjithësi, se përtej gjendjes paraprake që kishte 27 vjeçari para se të prangosej nga policët, tashmë të suspenduar e nën masën e ndalimit, vdekja mund të jetë shkaktuar nga ndrydhja”.
Mirëpo kjo u mohua menjëherë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë nga ku tha se se deri në këtë fazë nuk kanë pranuar raportin zyrtar të autopsisë nga Mjekësia Ligjore.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokuroria Themelore në Prishtinë, deri në këtë fazë nuk ka pranuar raportin zyrtar të autopsisë nga Mjekësia Ligjore, lidhur me rastin e viktimës A.Z”, ka thënë Kaltrina Shala zëdhënësja e kësaj prokurorie për lajmi.net.
Që raporti preliminar nuk ka dal ende, sot e ka konfirmuar edhe Instituti i Mjekësisë Ligjore. Nga IML kanë thënë se dje është kryer autopsia por që po bëjnë përpjekje që sa më shpejtë të dal një raport preliminar në lidhje me vdekjen e Zejnullahut.
“Me urdheresë nga Prokuroria e Shtetit, dje në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) është kryer autopsia për të ndjerin Agon Zejnullahu. Autopsia është kryer nga ekipi i udhëhequr nga eksperti mjeko ligjor kujdestar dhe me pjesëmarrjen edhe të zyrtarëve policor të caktuar nga Policia e Kosovës. Ne kemi parë sot nëpër portale të ndryshme lajmin se ka dalur raporti preliminar për rastin në fjalë. Me përgjegjësi morale e profesionale, deklarojmë se nga IML nuk ka dalur ndonjë raport i tillë, dhe ky lajm si i tillë është jo i vërtetë.”
IML thotë se janë duke bërë pëpjekje maksimale për të kryer sa më shpejt edhe analizimin histopatologjik dhe toksikologjik të mostrave indore të cilat janë marrë gjatë autopsisë në mënyrë që të hartohet sa më shpejt raporti i autopsisë.
Ndërkaq rasti i vdekjes së 27-vjeçarit tashmë është cilësuar si vdekje e dyshimtë. Pas thirrjes së qytetarëve, njësitë policore kishin ndërhyrë duke e arrestuar atë, ku gjatë ndërhyrjes, atij iu vendosen prangat. Më pas policia raportoi se përkundër përpjekjeve të ekipit mjekësor, 27‑vjeçari ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.
Hiç më larg se një javë më parë një rast tjetër i dhunës ku zyrtarët policor u përfshinë, ndodhi në Klinë ku u shfaqen pamjet sesi ushtronin dhunë ndaj një personi.
Njëri nga policët, shihej në pamje, si godet pa ndalur në trup dhe fytyrë qytetarin, i cili nuk dukej se rezistonte për t’u prangosur.
Teksa për këtë rast Inspektorati Policor i Kosovës kishte ndërmarrë veprime hetimore dhe kishte rekomanduar suspendimin e tre policëve, të cilët u arrestuan dhe u ndaluan për 48 orë. /Lajmi.net/