Vazhdon takimi Kurti-Hamza, mbi dy orë diskutime në Qeveri

Takimi ndërmjet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kreut të PDK-së, Bedri Hamza, po vazhdon prej rreth dy orësh në objektin e Qeverisë së Kosovës. Takimi vjen pas bisedës që Kurti zhvilloi më herët me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, transmeton lajmi.net. Në qendër të diskutimeve raportohet se janë votimi i ndryshimeve të Ligjit për…

Lajme

03/10/2026 18:53

Takimi ndërmjet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kreut të PDK-së, Bedri Hamza, po vazhdon prej rreth dy orësh në objektin e Qeverisë së Kosovës.

Takimi vjen pas bisedës që Kurti zhvilloi më herët me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, transmeton lajmi.net.

Në qendër të diskutimeve raportohet se janë votimi i ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara në të gjitha fazat e procesit parlamentar, si dhe çështja e zgjedhjes së presidentit.

Para takimit me Kurtin, Hamza kishte deklaruar se për PDK-në prioritet mbetet miratimi i ligjit në Kuvend, përpara se të diskutohet për presidentin.

“Fillimisht duhet me u aprovu ligji dhe po e ritheksoj që me u aprovu në të gjitha nivelet, në të dy leximet dhe në të gjitha komisionet. Pastaj, ne jemi të hapur që të bisedojmë për çështjen e presidentit”, kishte thënë Hamza.

Ai kishte shtuar se vendi duhet ta ketë presidentin dhe se pas përfundimit të procesit për ligjin, deputetët duhet t’u kthehen obligimeve të tyre.

Ndërkohë, pas takimit të zhvilluar më herët me Kurtin, Lumir Abdixhiku nuk ka dhënë deklaratë për media. Edhe Kurti nuk është deklaruar lidhur me përmbajtjen e takimit./lajmi.net/