Vazhdon sot seanca e Kuvendit- përpjekja e nëntë për konstituim

Sot do të jetë vazhdimi i nëntë i seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Deputetët kanë dështuar për të tetën herë me radhë të konstituojnë legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës. Seanca është ndërprerë pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dështoi të martën të marrë votat e nevojshme për kryeparlamentare. Në tentimin…

Lajme

01/05/2025 08:16

Sot do të jetë vazhdimi i nëntë i seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Deputetët kanë dështuar për të tetën herë me radhë të konstituojnë legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës. Seanca është ndërprerë pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dështoi të martën të marrë votat e nevojshme për kryeparlamentare.

Në tentimin e gjashtë të LVV-së për të zgjedhur Haxhiun në krye të institucionit ligjvënës, ajo mori vetëm 54 vota për, 44 ishin kundër dhe 3 abstenime.

PDK-ja dhe AAK-ja kanë kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të propozojë një tjetër kandidat, ndërkaq LDK-ja është shprehur kundër çdo propozimi të partisë së Albin Kurtit.

LVV-ja, në anën tjetër, këmbëngul në emrin e Haxhiut për kryeparlamentare.

Dështimi i njëpasnjëshëm për zgjedhjen e kreut të ri të Kuvendit për mungesë të votave ka detyruar të parin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti të thërrasë për sot në takim nga ora 08:30 kryetarin e PDK-së Memli Krasniqi dhe atë të LDK-së Lumir Abdixhiku për dalje nga ngërçi i krijuar politik.

Krasniqi ka thënë se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për takim, duke besuar thellësisht se Kosova ka nevojë urgjente për zhbllokim institucional dhe rikthimin e funksionimit të rregullt të institucionit më të lartë legjislativ, si dhe për t’i hapur rrugë afateve kushtetuese për themelimin e Qeverisë.

Albin Kurti për takim ka ftuar edhe kryetarin e LDK-së për takim nga ora 08:30, por nga kjo parti janë deklaruar se Lumir Abdixhiku nuk do të merr pjesë pasi ndodhet për vizitë jashtë vendit.

Ftesa e Kurtit vjen pasi ish-ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiun dështoi gjashtë herë të sigurojë 61 vota për kryetare të Kuvendit, ndërkohë që sot në ora 10:00 do të vazhdojë seanca konstitutive për legjislaturën e nëntë.