Vazhdon protesta për rastin e 11 vjeçares, kërkohet siguri për femrat në Kosovë

Rasti tronditës i dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë, nga pesë persona të dyshimtë për shtatë orë radhazi në lagjen Arbëria, ka bërë që në mesditën e së mërkurës në sheshin “Zahir Pajaziti” të mblidhen qindra/mijëra qytetarë, aktivistë, përfaqësues politik dhe fytyra të tjera publike për të protestuar për mbrojtjen e të drejtave të femrave…

Lajme

31/08/2022 18:47

Rasti tronditës i dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë, nga pesë persona të dyshimtë për shtatë orë radhazi në lagjen Arbëria, ka bërë që në mesditën e së mërkurës në sheshin “Zahir Pajaziti” të mblidhen qindra/mijëra qytetarë, aktivistë, përfaqësues politik dhe fytyra të tjera publike për të protestuar për mbrojtjen e të drejtave të femrave si dhe duke kërkuar siguri për vajzat dhe gratë në vend.

Protesta, e cila ishte organizuar nga “Kolektivi për Veprim Feminist”, ku Trina Binaku anëtare e kësaj organizate u shpreh se shteti ka dështuar të mbrojë gratë dhe vajzat në Kosovë.

Me pankarta në duar me mbishkrime të ndryshme, protestuesit bënin thirrje “Oj Kosovë oj vdekja ime”, ”Eduko djalin”, ”Mbrojtje për vajzat dhe gratë”, ”Krejt vajzat dhe gratë, nga një sprej në çantë”, ”5 burra,7 orë, çika 11 vjet”.

Mirëpo, e gjithë protesta nuk përfundoi me kaq. Protestuesit me thirrje të shumta vazhduan pakënaqësitë e tyre lidhur me rastin e fundit edhe para oborrit të Ministrisë së Drejtësisë, para objektit të Prokurorisë, tek stacioni policor “Qendra”, tek objekti i Këshillit Gjyqësorë të Kosovës si dhe duke vazhduar më pas edhe tek Kuvendi i Kosovës dhe tek objekti i Qeverisë së Kosovës, duke i bërë të gjitha dyert e këtyre institucioneve me ngjyrë të kuqe.

Në ndërkohë që e gjitha protesta po vazhdon akoma para oborrit të Qeverisë, pasi që shumë nga protestuesit po qëndrojnë të ulur duke kërkuar që tu plotësohen kërkesat e tyre.

Lidhur me rastin dje është arrestuar edhe personi i pestë i dyshuar, kurse katër personat e tjerë janë arrestuar gjatë tri ditëve të kaluara, të cilëve edhe iu është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Për këtë ngjarje, protestë do të mbahet edhe në Tiranë në orën 18:30. E gjitha kjo vjen për tu solidarizuar me Prishtinën dhe ngjarjen e cila ka ndodhur ./Lajmi.net/