Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sipas kalendarit sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ish-këshilltari juridik i UNMIK-ut, Hansjeorg Strohmeyer pritet të vazhdojë të dëshmojë edhe sot në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Gjatë dëshmisë dje dëshmitari…

Lajme

21/01/2025 08:31

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sipas kalendarit sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ish-këshilltari juridik i UNMIK-ut, Hansjeorg Strohmeyer pritet të vazhdojë të dëshmojë edhe sot në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Gjatë dëshmisë dje dëshmitari në një deklaratë që u prezantua nga avokati i Thaçit, ai kishte thënë se nuk ka pas organizata tjera të strukturuara në Kosovë përveç UÇK-së dhe s’kishim negociata për çarmatim me të tjerë përveç atyre.

Gjithshtu dëshmitarit iu prezantua deklarata e një dëshmitari, konkretisht gjeneralit Mike Jackson në një proces gjyqësor në Angli në të cilën kishte përmendur një takim me Agim Çekun. Sipas deklaratës së gjeneralit, ai ishte takuar me Çekun për të parë nëse po respektoheshin pikat e marrëveshjes.

Në seancë dje, Strohmeyer ka deklaruar se është në dijeni që Hashim Thaçi si përfaqësues i UÇK-së në Qeverinë e Përkohshme, ka bërë thirrje për një Kosovë multientike.

“Jam në dijeni që kanë ndodhur deklaratat të tilla dhe ne ia kemi kërku ndonjëherë atij ta bënte këtë gjë”, ka theksuar dëshmitari.

Sipas tij, edhe në rastet e tjera, Thaçi ka luajtur rol të dobishëm në ç’tensionimin e situatave, sidomos për periudha afatshkurta.

“Ai edhe në raste të tjera ka bërë thirrje të tilla dhe është shembull se si ai ka luajtur një rol shumë të dobishëm, shumë të frytshëm për zgjidhjen e situatave të tilla sidomos në periudha afatshkurta”, ka thënë dëshmitari.

Strohmeyer ka theksuar se në deklaratën e tij nuk flet për një politikë që ka synim veprimet kundër serbëve.

“Në gjithë deklaratën time unë nuk besoj që flas për një politikë të përgjithshme sepse politika në vetvete është një vendim shumë i synuar ose i qëllimshëm që shkon në drejtim të caktuar. Megjithatë, mund të ketë sjellje që bën të mundur ose i lejon akteve të caktuara që të shkojnë në përmbushjen e një politike të caktuar. Domethënë, ajo se çfarë po përpiqem të them është se mund të ketë një dallim në mes asaj që deklaron gjenerali Jackson nga përshtypjet që më janë krijuar mua gjatë kohës që kam qenë atë”, ka thënë ai.

Vlen të theksohet se një pjesë e konsiderueshme e dëshmisë së Strohmeyer është dëgjuar në sesion privat për publikun me arsyetimin e ruajtjes së burimit të informacionit.