Vazhdon aplikimi për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim me postë, deri sot u pranuan rreth 2 mijë aplikime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se është duke vazhduar periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim me postë në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale. KQZ njoftoi se gjatë periudhës 38-ditore (23 korrik 2025 – 29 gusht 2025), të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë…

Lajme

04/08/2025 10:49

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se është duke vazhduar periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim me postë në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.

KQZ njoftoi se gjatë periudhës 38-ditore (23 korrik 2025 – 29 gusht 2025), të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Aplikimi për regjistrim duhet të jetë individualë dhe mund të bëhet:

1. përmes platformës elektronike të KQZ-së https://diaspora.kqz-ks.org ose

2. përmes postës duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

“Deri më sot (e hënë, 4 gusht, ora 08:00) përmes platformës elektronike https://diaspora.kqz-ks.org janë pranuar 1,971 aplikime për regjistrim për votim me postë, prej të cilave janë aprovuar 1,402, ndërkaq janë refuzuar 569”,thuhet në njoftim.

Sipas KQZ-së, në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk kanë paraqitur njërin nga dokumentet që dëshmon adresën e tij jashtë Kosovës (dokument identifikues në të cilin është e shënuar adresa e banimit, vërtetim i adresës nga autoriteti lokal, kontratë të qirasë, faturë shërbimesh, dokument i lëshuar nga banka apo kompania e sigurimit, dokument që dëshmon adresën e personit tek i cili qëndrojnë përkohësisht, dëshmi tjetër banimi për rastet specifike (rezervim hoteli, konvikti etj.)).
Sipas procedurës, aplikimet e pakompletuara, të cilat kanë mungesë të dokumenteve mbështetëse, do të refuzohen. KQZ informon rregullisht dhe personalisht aplikuesit e refuzuar për arsyet e refuzimit të kërkesës së tyre dhe se do të mund të ri-aplikojnë përmes platformës për regjistrim duke bashkëngjitur dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së. Kjo do të mundësohet gjatë kohës sa zgjatë periudha e regjistrimit./Lajmi.net/