Vazhdon aksioni “Call center”, Prokuroria bllokon 700 mijë euro të fituara me veprimtari të dyshimtë

Aksioni i Prokurorisë Speciale të Kosovës nëpër "Call Center", ka vazhduar edhe sot.

Lajme

01/04/2021 18:28

Prokuroria Speciale ka njoftuar se gjatë ditës së sotme janë bllokuar shtatëqindmijë (700,000) euro të cilat mendohet të jenë përfituar jashtëligjshëm nga kompanitë “Call center”, shkruan lajmi.net.

Përveç kësaj, prokuroria deri më tani ka sekuestruar 160,000 euro, 6 vetura, ka arrestuar 18 persona dhe ka sekuestruar një numër të madh të kompjuterëve, serverëve, telefonave mobilë e të tjera.

Ky është njoftimi i plotë:

Aksioni i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i nisur një ditë më parë në “Call center” në 17 lokacione të ndryshme në Prishtinë dhe Ferizaj, ka vazhduar edhe sot.

Prokuroria Speciale njofton se gjatë ditës së sotme janë ngrirë shtatëqindmijë (700.000) euro, të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtaritë e “Call center” në mënyrë të kundërligjshme, lidhur me veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Krimit të organizuar”.

Deri më tani nga ky operacion janë ngrirë shtatëqindmijë (700.000) euro, janë sekuestruar njëqindegjashtëdhjetëmijë (160.000) euro, gjashtë (6) vetura, janë arrestuar tetëmbëdhjetë (18) persona, si dhe një numër i konsiderueshëm i kompjuterëve, serverëve dhe telefonave mobil e të cilët janë shfrytëzuar për kryerjen e veprave penale. /Lajmi.net/