Vazhdojnë kontrollet për produktet me yndyra bimore, inspektorët heqin nga raftet disa produkte në Prishtinë e Prizren
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka vazhduar edhe të hënën kontrollet nëpër markete për produktet e qumështit dhe produktet e ngjashme, pas urdhrit të AUV-it për largimin nga tregu të produkteve që përmbajnë yndyra me bazë bimore. Gjatë paradites janë kryer shtatë inspektime në markete të klasit B dhe C në regjionet e…
Lajme
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka vazhduar edhe të hënën kontrollet nëpër markete për produktet e qumështit dhe produktet e ngjashme, pas urdhrit të AUV-it për largimin nga tregu të produkteve që përmbajnë yndyra me bazë bimore.
Gjatë paradites janë kryer shtatë inspektime në markete të klasit B dhe C në regjionet e Prishtinës dhe Prizrenit. Gjatë kontrolleve, inspektorët kanë gjetur disa produkte që përmbajnë yndyra bimore dhe kanë urdhëruar largimin e tyre nga raftet e shitjes, shkruan lajmi.net.
Produktet e larguara gjatë këtyre kontrolleve janë:
Holla Schmand – 400 gram
Holla Cooking Cream – 1 litër
Magic Krem – 800 gram
Nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit kanë bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme, me listën e zgjeruar të produkteve të identifikuara nga AUV-i.
Në listën e produkteve që duhet të tërhiqen menjëherë nga tregu janë edhe disa produkte të kompanisë Abrazen LLC – Qumështorja Vita.
Bëhet fjalë për produktet Schmand 18%, në paketimet 180, 400 dhe 800 gramë, Holla Dessert 1L, Holla Barista 3.8% 1L, Graden Milk 1L, Holla Cooking Cream 1L, Mushroom Cream Cheese 200 g, si dhe qumështin “My Cow” 3.2%, qumështin UHT “My Cow” 3.2%, qumështin UHT “Land” 3.2% dhe djathin e bardhë 100% 250 g.
MINT ka njoftuar se në baza ditore do ta informojë publikun për produktet që janë larguar nga tregu, në mënyrë që konsumatorët të jenë të informuar dhe të parandalohet mashtrimi i mëtejshëm.
Ndërkohë, IQMT ka bërë thirrje për të gjitha kompanitë prodhuese që t’i tërheqin nga tregu produktet që në përbërjen e tyre kanë yndyra bimore, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe zbatimit të legjislacionit në fuqi.
Edhe qytetarëve u është bërë thirrje që të jenë të kujdesshëm dhe, nëse në markete hasin produktet e përfshira në listën e tërheqjes, t’i raportojnë ato në platformën Viber të IQMT-së në numrin +383 (0) 46 311-000.
Inspektorati ka paralajmëruar se kontrollet në treg do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. /Lajmi.net/