Vazhdojnë hetimet për vdekjen e tre fëmijëve në Jabllanicë

Kanë kaluar tri javë qëkur tre fëmijë humbën jetën në fshatin Jabllanicë të Gjakovës, si pasojë e shembjes së një objekti të vjetër. Ky i fundit sipas autoriteteve lokale, ishte një ndërtesë e vjetër e pabanuar, e mbetur e tillë që nga viti 1999. Sipas deklarimeve të familjarëve, të miturit ishin duke luajtur në objektin…

Lajme

23/02/2025 22:53

Kanë kaluar tri javë qëkur tre fëmijë humbën jetën në fshatin Jabllanicë të Gjakovës, si pasojë e shembjes së një objekti të vjetër.

Ky i fundit sipas autoriteteve lokale, ishte një ndërtesë e vjetër e pabanuar, e mbetur e tillë që nga viti 1999.

Sipas deklarimeve të familjarëve, të miturit ishin duke luajtur në objektin në fjalë kur objekti ishte shembur e zbuluar më vonë, gjatë kërkimit të prindërve.

Hetimet nisën nga organet për të determinuar shkaqet e njëherit, edhe përcaktimin se a pati neglizhenca që mund të kenë pasur ndikimin e vet.

Por ndonëse kanë kaluar javë, nuk ka ndonjë risi në të gjetura.

“Jo deri tani. Hetimet nuk kanë përfunduar. Të gjitha veprimet e nevojshme janë duke u ndërmarrë në koordinim me prokurorin kompetent”, ka deklaruar Sheremet Elezaj, Zëdhënës i Policisë së Kosovës në rajonin e Gjakovës.

Në detaje të tjera lidhur me hetimet, është kursyer edhe Prokuroria Themelore në Gjakovë.

“Lidhur me pyetjet tuaj, ju njoftojmë se rasti është duke u trajtuar në koordinim me Policinë e Kosovës, dhe janë autorizuar për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve lidhur me këtë rast”, ka theksuar Drin Domi, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë për RTV Dukagjini.

Të shtunën e dy shkurtit, nga pamjet e kamerave në afërsi, shihej se objekti ishte shembur rreth orës 16:35.

Ndërkaq, trupat e viktimave ishin gjetur pas gati gjashtë orëve kërkim.