Vavalis i lumtur me fitoren e parë dhe i dërgon mesazh Llapit, Panadiq bën deklaratë interesante
Drita ka shënuar fitore 3:0 kundër Ferizajt në stadiumin me bari sintetik në Gjilan, në kuadër të javës së 31-të kampionale në elitën e futbollit kosovar. Trajneri i ri i Dritës, greku Akis Vavalis u shpreh i lumtur pas ndeshjes duke thënë se “çelësi” i kësaj fitore ishte sulmuesi Ardit Tahiri. “Unë jam shumë i…

Sport
Drita ka shënuar fitore 3:0 kundër Ferizajt në stadiumin me bari sintetik në Gjilan, në kuadër të javës së 31-të kampionale në elitën e futbollit kosovar.
Trajneri i ri i Dritës, greku Akis Vavalis u shpreh i lumtur pas ndeshjes duke thënë se “çelësi” i kësaj fitore ishte sulmuesi Ardit Tahiri.
“Unë jam shumë i lumtur për fitoren dhe i lumtur me paraqitje e lojtarëve të mi. Te Ferizaji ka ndikuar karton i kuq, unë jam i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve të mi, sidomos me rezervistët. Unë pas ndeshjes i thash Tahirit se ishte çelësi i fitores. Në ndeshjen e radhës me Llapin ne shkojmë për një tre pikësh dhe me pas mendojmë për Ballkanin”, tha Vavalis për Art Sport.
Ndërkohë, trajneri i Ferizajt, kroati Andrej Panadiq bëri një deklaratë interesante pas ndeshjes duke ironizuar me skuadrën gjilanase dhe trajnerin e ri Vavalis.
“Ju e shikoni rezultatin dhe thoni se Drita ka fituar 3:0. Njerëzit që e kuptojnë futbollin dhe ata që e kanë parë ndeshjen, e dinë se ishte krejtësisht ndryshe. Jemi ekip i vogël kurse Drita është skuadër e madhe dhe lufton për titull. Nëse Drita dëshiron të bëhet kampione, duhej të na shënonte 3-4 gola shumë herët. Po të isha trajner i Dritës nuk do të isha i lumtur. Nga minuta e pestë ne ishim pa një lojtar, kurse kundërshtari nuk krijoi asnjë mundësi shënimi. Më pas erdhi VAR-i. Kemi shumë raste të cilat janë vendosur me VAR. A është kjo pse Ferizaj është skuadër e vogël? Sidoqoftë, nuk ka përfunduar ende asgjë. Deri sa të ketë shpresë, ne duhet të luftojmë. Kur nuk ka gjasa, atëherë merr fund gjithçka. Unë dua vetëm t’i uroj lojtarët e mi për lojën”, ka thënë Panadiq.
Autor i golit të parë për vendasit ishte sulmuesi Ardit Tahiri. Ai shënoi në minutën e 80-të të përballjes, ndërsa goli u rishikua disa herë me sistemin VAR.
Kastriot Selmani i dha goditjen e dytë mysafirëve me një gol në minutën e 90-të, falë edhe gabimit të portierit Blend Bajraktari.
Krejt në çastet e fundit të ndeshjes, sulmuesi maqedonas, Marko Simonovski shënoi golin e epilogut përfundimtar të ballafaqimit.
Me këtë fitore Drita rikthehet në vendin e parë me 63 pikë, dy më shumë se Ballkani që ka një sfidë me pak të luajtur. Ferizaj është i parafundit me 31 pikë gjithsej./Lajmi.net/