Varrosen viktimat e përmbysjeve, 5 dhe 6 gushti ditë zie në Tetovë
Sot është bërë varrimi i tre viktimave - Ritan Ahmeti 1 vjet e gjysmë, Anisa Muaremi 14 vjeçe dhe Ashim Fazlia 80 vjeçar, të cilët humbën jetën në stuhinë e djeshme në Shipkovicë, në Tetovë.

Lajme
Ekipet e pastrimit bashkë me banorët, menjëherë pas pastrimit të rrugës kryesore kanë pastruar edhe rrugën e varrezave të fshatit e cila po ashtu ka qenë e bllokuar, me ç’rast pasdite kanë arritur ta lirojnë edhe atë rrugë dhe kanë varrosur viktimat.
E zhdukur ende rezulton motra e Ritonit të vogël, e cila supozohet ende të jetë nën gërmadha.
Ndërkaq, Këshilli komunal i Tetovës shpalli sot gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin e saj, ndërsa shpalli ditë zie, 5 dhe 6 gushtin. Nga 1000 euro është ndihma e parë që do t’u jepet familjarëve të viktimave, ndërsa më pas, këshilli i emergjencës në bashkëveprim me Qeverinë dhe institucionet e tjera do të bëjnë edhe vlerësimin dhe dëmshpërblimin për dëmet materiale.
Qytetit të Tetovës i ka dalë në ndihmë edhe Komuna e Gostivarit dhe qyteti i Shkupit. Kreu i kryeqytetit Koce Trajanovski vizitoi Tetovën dhe n doqi aksionin e pastrimit që kanë ndërmarrë ekipi i Qytetit të Shkupit, punonjësit dhe makineritë e të cilëve janë vënë në dispozicion dhe në ndihmë të kolegëve të Tetovës.
Autoritetet komunale të Tetovës kanë vlerësuar se në fshatrat Reçicë e Vogël, Poroj, Gjermë dhe afër banjës së Tetovës uji aktualisht nuk është i pijshëm. Është bërë apel që të përdoret vetëm uji i ambalazhuar.
Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni Fatos Reka ka vizituar gjatë ditës rajonin e Tetovës, për t’u njohur nga afër me dëmet e shkaktuara nga reshjet e rrëmbyeshme të shiut një ditë më parë. Reka pas takimit me kryetaren komunës së Tetovës, Teuta Arifi tha se vizita e tij në rajonin e prekur nga përmbytjet është bërë me kërkesë të kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili ka dashur që ta njoftojë detajisht për situatën e krijuar. Ambasadori shqiptar përcolli gatishmërinë e Qeverisë së Shqipërisë për të ndihmuar b anorët e prekur nga përmbytjet katastrofike.
Pas përmbysjes në Tetovë 4 janë viktimat e konfirmuara ndërsa vajza 6 vjeçare, e dyshuar gjithashtu e vdekur, po kërkohet në rrënojat dhe baltën që lanë pas përmbytjet e një dite më parë.
Fshatrat e Shipkovicës, Reçicës dhe rajone të tjera, përjetuar më së shumti viktima dhe dëme nga shirat e rrëmbyeshëm të një dite më parë, dhe vala e ujit që mori përpara gjithçka që gjeti. Katet e para të shtëpive u përmbytën, mbi 20 shtëpi janë shpërlarë nga uji, ndërsa tani, rajonet e prekura, janë ende në baltë. Ndërkohë që qytetarët po bëhen bashkë për të dhënë ndihma dhe kontributin e tyre civil./Alsat-M/