Vapa rrit rrezikun në punë, Inspektorati i Punës apel për masa urgjente sigurie

Inspektorati i Punës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë periudhës së temperaturave të larta, duke iu drejtuar si punëdhënësve ashtu edhe punëmarrësve, me fokus të veçantë te punëtorët në kantieret e ndërtimit dhe ambientet e hapura. Në njoftimin zyrtar theksohet se temperaturat e larta paraqesin rrezik serioz për shëndetin e punëtorëve, ndaj është…

Lajme

16/06/2026 13:34

Inspektorati i Punës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë periudhës së temperaturave të larta, duke iu drejtuar si punëdhënësve ashtu edhe punëmarrësve, me fokus të veçantë te punëtorët në kantieret e ndërtimit dhe ambientet e hapura.

Në njoftimin zyrtar theksohet se temperaturat e larta paraqesin rrezik serioz për shëndetin e punëtorëve, ndaj është e domosdoshme respektimi i plotë i masave të sigurisë në vendin e punës.

“Temperaturat e larta paraqesin rrezik serioz për shëndetin e punëtorëve, prandaj është e domosdoshme që të respektohen masat e sigurisë dhe kushtet e punës, duke siguruar pushime të rregullta, furnizim të mjaftueshëm me ujë të pijshëm, mbrojtje nga ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell dhe organizim të punës në mënyrë që të minimizohen rreziqet nga vapa”, thuhet në njoftim.

Inspektorati u ka bërë thirrje punëdhënësve që të ndërmarrin masa parandaluese, ndërsa punëtorëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të raportojnë çdo situatë që mund të cenojë sigurinë dhe shëndetin e tyre në vendin e punës.

Po ashtu, theksohet se Inspektorati Qendror i Punës do të vazhdojë inspektimet dhe monitorimin e zbatimit të ligjit, ndërsa ndaj subjekteve që nuk respektojnë masat e sigurisë do të ndërmerren veprimet ligjore përkatëse.

Në fund të njoftimit rikujtohet se siguria dhe shëndeti në punë mbeten përgjegjësi e përbashkët dhe duhet të jenë prioritet i vazhdueshëm. /Lajmi.net/