Vanuatu shqyrton heqjen e pasaportës së artë të Andrew Tate
Autoritetet e shtetit Vanuatu po shqyrtojnë heqjen e shtetësisë së Andrew Tate, pasi u zbulua se ai kishte marrë një pasaportë të artë rreth të njëjtës kohë kur u arrestua në Rumani për trafikim njerëzish. Influenceri fitoi shtetësinë përmes një skeme të përshpejtuar për ata që investojnë së paku 130 mijë dollarë në këtë arkipelag…

Bota
Autoritetet e shtetit Vanuatu po shqyrtojnë heqjen e shtetësisë së Andrew Tate, pasi u zbulua se ai kishte marrë një pasaportë të artë rreth të njëjtës kohë kur u arrestua në Rumani për trafikim njerëzish.
Influenceri fitoi shtetësinë përmes një skeme të përshpejtuar për ata që investojnë së paku 130 mijë dollarë në këtë arkipelag të vogël në Paqësor, sipas një hetimi nga Projekti i Raportimit për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin (OCCRP), raporton BBC.
Kjo skemë ka ngritur shqetësime për sigurinë dhe ka çuar në heqjen e privilegjit të lëvizjes pa vizë të Vanuatu nga Bashkimi Evropian në fund të vitit 2024, transmeton KosovaPress.
Një zëdhënës i qeverisë së Vanuatu-së tha se autoritetet po “e shqyrtojnë me seriozitet” shtetësinë e Tate.
“Sa të kemi dokumentacionin, sigurisht që proceset do të ndiqen për të hequr shtetësinë e tij. Qeveria nuk dëshiron të inkurajojë njerëz me prejardhje të dyshimtë që të marrin shtetësi. Ata që janë të kërkuar nga vendet e tyre ose që janë nën hetim nga autoritetet policore ndërkombëtare nuk janë të mirëpritur të bëhen qytetarë të Vanuatu,” tha Kiery Manassah për ABC News.
Skemat e shitjes së pasaportave ose shtetësisë përmes investimeve janë një burim të ardhurash për vende si Vanuatu. Por ato janë abuzuar edhe nga kriminelë të organizuar, oligarkë dhe agjentë inteligjence, tha Aubrey Belford, redaktor kryesor për Paqësorin në OCCRP.
Vanuatu i ka dhënë nënshtetësi Tate në dhjetor 2022. Po atë muaj, Tate dhe vëllai i tij Tristan u arrestuan në Rumani dhe që atëherë kanë qenë kryesisht me kufizime udhëtimi në atë vend. Vanuatu nuk ka një traktat formal ekstradimi me Rumaninë. Nuk dihet nëse Tristan Tate gjithashtu ka marrë shtetësinë e Vanuatu.