Valë fushate për PTK’në

Ardian Gjini thotë se iniciativa e LDK’së dhe Vetëvendosjes lidhur me hetimin parlamentar për PTK'në po përdoret për qëllime të fushatës. Sidoqoftë, pohon se AAK e mbështet këtë nismë, ndonëse nënshkrimet nuk i ka dhënë.

Lajme

02/10/2013 21:15

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk beson se themelimi i një Komisioni Hetimor në Kuvendin e Kosovës për  privatizimin e PTK’së do të mund të ketë sukses.

Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK’së, Ardian Gjini, ka thënë për lajmi.net se kjo iniciativë është duke u përdorur si fushatë nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje.

“Ka tri javë që personalisht në emër të Grupit Parlamentar të AAK’së kam deklaruar në Kuvend se ne e mbështesim këtë iniciativë”.

“Nuk është e vërtetë që nuk e kemi mbështetur iniciativën, por kam shtuar që ky Komision Hetimor nuk mund të mbërrijë më tepër se sa t’i ndihmojë pak fushatës parazgjedhore të këtyre partive”.

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që nesër të mbahet një seancë e jashtëzakonshme me kërkesë Grupit Parlamentar të LDK’së, të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe disa deputetëve, për të krijuar një Komisioni Hetimor Parlamentar për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të PTK’së.

Kërkesa është shkruar nga 40 deputetë dhe në të precizohet se Komisioni Hetimor do të ketë mandatin kohor të punës, konform ligjit (prej gjashtë muajsh) dhe të përbëhet nga 11 anëtarë, të cilët pritet të emërohen në seancë nga të gjitha Grupet Parlamentare.

Deputetët e AAK’së nuk kanë dhënë nënshkrimet e tyre.

“Nuk kemi aryse t’i bëjmë këto nënshkrime, sepse nuk na i kanë kërkuar, mirëpo në seancë do të jemi dhe do ta mbështesim këtë Komision”, thotë Ardian Gjini, për lajmi.net.

“E mbështesim komisionin për shkak se ne duam t’ju tregojmë se nuk kemi insistim ose nuk kemi qasje kundër një iniciative të tillë të opozitës, pavarësisht se mendojmë se nuk do të jetë një rezultat kushedi çfarë”.