Vajza e Shyrete Sulimanit hap Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë
Vajza e të mbijetuarës së dhunës seksuale, Venesa Sulimani ka bërë hapjen e Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Ajo tha se nënës së saj, Shyretes, i janë dashur 20 vjet kohë që të mund të flas për krimin që forcat serbe i kanë bërë gjatë luftës. “Në moshën 4 vjeçare unë isha dëshmitare…

Lajme
Vajza e të mbijetuarës së dhunës seksuale, Venesa Sulimani ka bërë hapjen e Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Ajo tha se nënës së saj, Shyretes, i janë dashur 20 vjet kohë që të mund të flas për krimin që forcat serbe i kanë bërë gjatë luftës.
“Në moshën 4 vjeçare unë isha dëshmitare e një krimi te luftës. Për 15 vite të gjata, shëndeti im mendor dhe fizik ishte i rrezikuar rëndë. Deri dy vite më parë, kur vendosa që nuk do ta lejoja më të më shkatërronte mua, ne, apo këdo tjetër. Lufta ka shumë viktima edhe pasi ajo ka përfunduar, shpesh duke qenë fëmijët e vegjël që janë shumë të pafuqishëm për të shëruar veten, për t’u mbrojtur dhe për t’u mbështjellë nga gjërat që nuk mund dhe nuk duhet t’i kuptojnë. Iu deshën nënës sime 20 vjet për të gjetur zërin e saj, dhe megjithëse unë ende po e gjej timin, do ta përdor me krenari për ata që nuk kanë zë – si aktiviste për traumën ndërbreznore, çështjet e shëndetit mendor dhe për t’i dhënë fund stigmës për fëmijët anembanë botës. Trauma ndërbreznore nuk më përcakton dhe nuk do të më kufizojë, kurrë”, tha ajo.
Ndërsa, e mbijetuara e gjenocidit në Bosnje e Hercegovinë, Zijada Efendiq kujtoi periudhën e përndjekjeve, vrasjeve e dhunës.
“Ne ishim të ekspozuar çdo ditë ndaj përndjekjes, vrasjeve, dhunës së tepërt. Për shkak të kësaj, u detyruam të shpërngulemi nga Srebrenica në qytet. Në vitin 1995 ndodhi gjenocidi, pra filloi shfarosja gjenocidale, atëherë isha vetëm 15 vjeç. U ktheva në Serbi në vitin 1996. Kam krijuar familje, kam dy fëmijë, bashkëshorti im gjithashtu ka dy fëmijë. Unë, burri im dhe fëmijët tanë duam që kurrë më nënat, baballarët, vëllezërit, motrat dhe të tjerët të mos përjetojnë luftë në këto anë, sikur të mos kishte ekzistuar kurrë. Duam që ata që kanë humbur më të dashurit e tyre të gjejnë paqe dhe që ne të jetojmë në paqe”, tha ajo.
Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka nisur sot organizohet nën udhëheqjen e presidentes, Vjosa Osmani.
Sot dhe nesër do të mbahen mbi 30 panele diskutime, me mbi 150 folës.
Ky është edicioni i tretë, ku tema kryesore e forumit do të jetë “Kodi i Sigurisë për Brezin Tonë”.