Vajza e Nishorit: Në mesin e mijëra zërave të heshtur, një burrë ka gjetur guximin të flasë
Pas më shumë se dy dekadash, Ramadan Nishori vendosi ta thyente heshtjen. I mbijetuari i dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë, Ramadan Nishori, foli rreth ngjarjes së rëndë që i ka ndodhur më fundin e shtatorit të 98-tës. “Isha 21 vjeçar, u larguam nga shtëpia në Negroc për tek dajtë. Shtëpinë tonë e…

Lajme
Pas më shumë se dy dekadash, Ramadan Nishori vendosi ta thyente heshtjen.
I mbijetuari i dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë, Ramadan Nishori, foli rreth ngjarjes së rëndë që i ka ndodhur më fundin e shtatorit të 98-tës.
“Isha 21 vjeçar, u larguam nga shtëpia në Negroc për tek dajtë. Shtëpinë tonë e liruam për UÇK-në. Më 26 shtator, u bë një ofensiv në fshatin Negroc. U detyruam ne të rinjtë të largohemi nga aty. Të nesërmen nga rrethuan serbët, na ndanë burrat nga gratë dhe na çuan në stacionin policor në Drenas”, shpjegoi ai.
Ai tregoi edhe momentin kur ndodhi ngjarja e tmerrshme.
“Na kanë maltretuar. Pas mesnatës, ka ardhur rendi jem me më marrë në pyetje. Një shqiptar punonte me ta. Kanë ardhur dy policë me uniforma, më kanë ngrehë zhag dhe më kanë futur në banjo dhe aty ndodhi më e keqja, më e keqja që mund të ndodhë në jetë. Njëri më dhunoi dhe duke u përgatitur i dyti nga britmat e mia, ai shqiptari ka hyrë dhe më ka nxjerrë nga aty”, u shpreh Nishori.
E në lidhje me këtë ka reaguar edhe vajza e tij, Flutura Nishori.
Ajo ka deklaruar se në Kosovë 20 mijë gra dhe vajza janë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës, derisa numri i saktë i burrave dhe djemve nuk dihet.
Nishori tha se për shkak të stigmatizimit dhe frikës shumë prej tyre nuk e kanë raportuar kurrë përjetimin e tyre.
“Në mesin e mijëra zërave të heshtur, një burrë ka gjetur guximin të flasë. Në një shoqëri ku burrat rrallëherë ndihen të sigurt për të treguar plagët e tyre më të thella, ai theu heshtjen jo vetëm për veten, por për të gjithë ata që ende nuk mund të flasin. Ky njeri është njeriu më i vlefshëm në jetën time, babi. Historia e babit nuk është e vetmja. Lufta nuk njeh rregulla dhe pasojat gjithmonë janë shumë të mëdha, por jetesa dhe shërimi janë shumë më të mëdha se pasojat! Dita e sotme le të jetë një përkujtim që kemi mbijetu dhe kurrë nuk jemi vetëm”,tha ajo./Lajmi.net/