Vajza e Nemcovit: Putini është politikisht fajtor

Vajza e opozitarit të vrarë rus, Boris Nemcov thotë se “politikisht” presidenti Vlladimir Putin është fajtor për vrasjen e babait të saj.

Bota

11/03/2015 23:55

Zhana Nemcov ka thënë për BBC se ajo beson që Putini është fajtor. I ndjeri Nemcov ishte një liberal, i cili u vra më 27 shkurt shumë pranë Kremlinit, transmeton lajmi.net.

Putin, ndërkaq, është betuar se do të gjinden vrasësit. Dhe, në fakt, Zaur Dadajev ka pranuar fajin për vrasjen e Nemcovit.

“Ai ishte kritikuesi më i madh i Putinit. Ai ishte udhëheqësi më i fuqishëm i opozitës në Rusi”, thotë Zhana.

“Pas vrasjes së tij, opozitës në Rusi i është prerë koka dhe tashmë të gjithë janë të frikësuar”.

“Tash populli nuk ka më një figurë kaq të fuqishme, me aq shumë përvojë dhe ekspertizë që të ballafaqohet me pozitën”, thotë ajo, transmeton lajmi.net.

Zhana tregon se akoma nuk ka mundur të shkojë në apartamentin e babait të saj, ku i ndjeri kishte shumë dokumente.

Duke folur për momentin kur ajo mori vesh për vrasjen e të atit, Zhana thotë: “Nuk mund ta besoja, akoma nuk mund ta besoj. Ata më vranë babanë. Unë nuk mund të qëndroj e heshtur”, tha ajo. (lajmi.net)