Vajza e Ejup Statovcit me Misionin e Ri

Dr.Anila Statovci Demaj, vajza e ish-rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, është anëtarja më e re e Partisë Demokratike të Kosovës.

Lajme

12/05/2014 11:44

Shefi i PDK-së, Hashim Thaçi, e ka mirëpritur aderimin në partinë e tij të ekonomistet Statovci, të cilën ai e ka prezantuar si një nga ekspertet më të njohura shqiptare të auditimit te brendshëm.  

“Kam nder që u takova me Dr.Anila Statovci Demaj, ekonomiste dhe një nga ekspertet më të njohura shqiptare të auditimit te brendshëm, që tanimë është pjesë e ekipit tim të ngushtë bashkëpunues të Misionit të Ri”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në Facebook duke postuar edhe një foto nga takimi  i sotëm.

“Anila që nga rinia e hershme ka ndihmuar të atin e saj, të shumë-munguarin Rektorin Ejup Statovci, në punët në Universitet e posaçërisht në komunikimin ndërkombëtar, kurse pas studimeve te doktoraturës është angazhuar si auditore ndërkombëtare në OSBE në Vjenë”.

“Tash e disa vite Anila është auditorja kryesore në Misionin e OSBE-së në Kosovë, ku punon si staf ndërkombëtar. Eksperienca e saj në fusha deficitare por edhe rrjeti i saj ndërkombëtar, edukata familjare dhe ekspertiza ekonomike dhe ndërkombëtare e bëjnë Anilën një grua profesioniste që ka shumë për t\’i dhënë ekipit tim”.

“Anila më tha se puna jonë politike në integrime europiane ka qenë e rëndësishme por se tani dëshiron të ndihmojë në arritjen e synimeve të reja dhe të thellimit të reformave ekonomike dhe politike. Si një zonjë që i di numrat e ekonomisë më mire se shumëkush, Anila do të ndihmojë në zbatimin e planit tim për Fondin për Punësim, krijim të vendeve të reja të punës dhe zhvillim ekonomik”.