Vajza e Bujar Bukoshit: Deri në fund të jetës na tregoi se të luftosh për të jetuar do të thotë të jetosh si njeri i lirë në mendje

Ish-kryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi, vdiq të martën në moshën 78-vjeçare. Ndërkaq sot po mbahet një mbledhje komemorative përkujtimore për jetën dhe veprën e tij. Vajza e tij, Shota Bukoshi, tha se babai i saj, “aq sa ishte i saktë në skalperin e operacionit, aq ishte edhe i drejtpërdrejtë dhe i guximshëm në ndjekjen e…

Lajme

12/06/2025 10:41

Ish-kryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi, vdiq të martën në moshën 78-vjeçare.

Ndërkaq sot po mbahet një mbledhje komemorative përkujtimore për jetën dhe veprën e tij.

Vajza e tij, Shota Bukoshi, tha se babai i saj, “aq sa ishte i saktë në skalperin e operacionit, aq ishte edhe i drejtpërdrejtë dhe i guximshëm në ndjekjen e vizionit për vendin”.

“Po aq ishte mbështetës, plot dashuri dhe me humor kur ishte te ne në shtëpi”, u shpreh Shota.

Ndër të tjera, ajo tha se vitet e fundit, kur babai i saj po përballej me një sëmundje të rëndë, njohën një tjetër dimension të tij.

“Në vitet e fundit kur ai u përball me një sëmundje të rëndë, ne njohëm edhe një baba tjetër: luftëtarin që sfidonte sëmundjen me të njëjtën vendosmëri me të cilën përballonte vështirësitë që i sillte politika. Deri në fund të jetës së tij, ai na tregoi se të luftosh për të jetuar, do të thotë të jetosh si njeri i lirë në mendje dhe të mos tërhiqesh përballë asnjë pengese”, ka thënë ajo.

Ajo i falënderoi të gjithë ata që e ndihmuan Bukoshin dhe familjen e tij në këto kohë.

“Në dhimbjen tonë, është një ngushëllim i madh të shohim se vepra e tij dhe kontributi i tij po vlerësohen”, tha Shota Bukoshi.

Në këtë akademi mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Në orën 14:00 do të mbahet ceremonia e varrimit te Kompleksi i Dëshmorëve në Velani, Prishtinë.