Ushtria duhet të përkufizohet edhe me Kushtetutë
Anton Çuni i LDK'së thotë se Forcat e Armatosura do të jenë Ushtri, por kjo duhet të definohet edhe me Kushtetutë. Beson se FAK, përveç që do ta mbrojë sovranitetin, do të marrë pjesë edhe në misione të përbashkëta me shtetet anëtare të NATO’s.

Lajme
Anëtari i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, Anton Çuni, beson se Forcat e Armatosura të Kosovës, përveç se do ta kenë mision mbrojtjen e sovranitetit, në një të ardhme të afërt pritet të realizojnë edhe misione të përbashkëta me forcat ushtarake anëtare të NATO’s.
Forca për të cilën flet Çuni, sot mori vizën nga Qeveria e Kosovës.
Kabineti qeveritar miratoi analizën e Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë, që parasheh shndërrimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.
Gjithashtu, parashihet që edhe Ministria e FSK’së të transformohet në Ministri të Mbrojtjes.
Për deputetin e LDK, ky është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Në një bisedë për lajmi.net, Çuni thotë se Forcat e Armatosura do të jenë ushtri, të cilat do të përkufizohen me Kushtetutë.
“Ky është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës, një lajm i mirë edhe për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës”.
“Besojmë se do të jetë një forcë e pajisur mirë me të gjitha kapacitetet mbrojtëse, të cilat në të ardhmen, përveç që do ta ketë mision mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, të jetë kompaktibile edhe me forcat ushtarake anëtare të NATO’s, për ndonjë aktivitet të përbashkët në misione të përbashkëta”.
“Forca e Armatosur nënkupton ushtri. Por, kjo duhet të përkufizohet edhe me Kushtetutë. Edhe FSK ka qenë e përkufizuar me Kushtetutë, natyrisht që edhe Forca e Armatosur me Kushtetutë do të duhej të karakterizohej si organizatë ushtarake”.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se nga dita e martë është vendosur që Forca e Sigurisë së Kosovës të transformohet në Forca të Armatosura të Kosovës, që rrjedhimisht do të ndryshojnë misionin, strukturën dhe madhësinë.
Sipas tij, kjo është në të mirë të vendit, në të mirë të qytetarëve të vendit pa dallim etnik, fetar ose orientim politik.
Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në bazë të Pakos së Ahtisaarit në nëntor të vitit 2009 duke zëvendësuar Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat ishin pjesë përbërëse e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.