Ushtari i plagosur rus demaskon rrenat e Putinit

Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin ka hedhur poshtë akuzat e kreut të Departamentit Amerikan të Shtetit, John Kerry, se Rusia po lufton në Ukrainën lindore, duke thënë se në Donjeck janë vetëm vullnetarët rusë dhe “ushtarët në pushim”.

Bota

05/03/2015 22:13

Ushtari i plagosur rus me numrin identifikues 2.609.000 gjendet në një spital në Donjeck, ku po shërohet nga djegiet e rënda. 20-vjeçari Xhori Batomunkujev i përket Brigadës së Pestë tankiste nga juglindja e Siberisë. Sipas shkrimit të gazetës investigative ruse Novaja gazeta, e cila është kritike ndaj qeverisë ruse, në qershor të vitit 2014 ai kishte nënshkruar kontratë trevjeçare me Ushtrinë ruse, transmeton Lajmi.net.

Pas plagosjes, kur pothuaj se e humbi jetën, ai tash është në repartin e kujdesit intensiv në Donjeck.

Derisa ishte në shërbimin e rregullt ushtarak, në tetor të vitit 2013 u transferua në Rostov. Eprorët ushtarakë përmendnin ca stërvitje, por ushtarët e dinin se çka do të ndodhë, sidomos pasi u mbuluan me ngjyrë shenjat e tankeve”.  “Po shkojnë në Ukrainë. Hoholët (një emër fyes për ukrainasit) do bombardohen”, thoshin  vullnetarët e vjetër.

Sipas këtij ushtari, përgatitjet për stërvitje kanë zgjatur tre muaj dhe kanë qenë shumë të vështira.

Më 8 janar arriti urdhri për nisje në front. Me të arritur në Donjeck, ushtarët dëgjonin diskutimin se a ka apo jo ushtarë rusë në Ukrainë. “Të gjithë bërtisnin jo, jo, jo. Por ne ishim aty: 300 ushtarë nga Ulan Udea e Rusisë. Batalioni ynë kishte 31 tanke”, thotë Batomunkujev.

Ai në vijim ka folur se i vjen keq që është detyruar të shtijë dhe të vrasë në Ukrainë, por shton se edhe në anën tjetër ka vullnetarë polakë, transmeton lajmi.net.

“A keni parë mercenarë nga Polonia në Ukrainë”, e pyeti gazetarja, kurse ai u përgjigj: “Jo, por na është thënë se janë aty”.

Ndërkaq, në pyetjen se çka mendon për Putinin, ai thotë: “Ai është një mashtrues shumë i rrezikshëm, kjo është e qartë. Është dinakëri e madhe që i thotë botës se në Ukrainë nuk ka ushtarë rusë”.

Lufta u bë e pashmangshme kur Ukraina ia ktheu shpinën Rusisë dhe shprehu angazhimin për BE dhe NATO.

Në foton e tij të ngatërruar ekziston vetëm një armik – Amerika, e cila dëshiron ta nënshtrojë Rusinë.

Për praninë e forcave ruse ka folur sot edhe zyrtari i lartë i NATO-s, Alexander Werbshow, i cili ka thënë se trupat ruse janë duke vdekur në lindje të Ukrainës, ku janë duke luftuar përkrah rebelëve pro-rusë.

Ai në kryeqytetin Riga të Letonisë ka thënë se përfshirja e Rusisë në lindje të Ukrainës ka nisur të humbasë mbështetjen e rusëve.

Moska ka mohuar kategorikisht praninë e trupave të saj në lindje të Ukrainës. (lajmi.net)