Ushqimet e rrezikshme në Kosovë zbulohen nga fqinjët
Vetëm gjatë katër muajve të parë të këtij viti në tregun e Kosovës ka depërtuar një numër i konsiderueshëm i produkteve me cilësi të dyshimtë.
Lajme
Produktet e tilla, janë vërtetuar të dyshimta vetëm pasi kanë hyrë në tregun e Kosovës dhe kishin rënë në dorë të konsumatorit.
Së fundi në tregun e Kosovës është paraqitur produkti i dyshimtë “Strudle” me përbërje të fikut nga prodhuesi serb “Medela”, si produkt i vërtetuar tani me përqindje të ohratoksinës A, materie kjo toksike e rrezikshme, nëse i kalon limitet e parapa, dhe si e tillë konsiderohet kancerogjene, raporton Radio Evropa e Lirë.
Përgjegjësinë kryesore për kontrollin e ushqimit në Kosovë e ka Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit e Kosovës, si autoritet shtetëror.
Zëdhënësi i këtij mekanizmi, Lamir Thaçi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tregon se kanë urdhëruar që ky produkt të largohet nga tregu.
“Posa kemi marrë këtë informatën, ne kemi nxjerr vendim që ky produkt të largohet nga tregu dhe po ashtu i kemi dhënë urdhëresë importuesit të këtij produkti që ta tërheqë atë nga të gjitha pikat e shitjes në Kosovë”, bënë të ditur Thaçi.
Shoqëria civile në Kosovë vazhdimisht ka reaguar për raste të tilla duke kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të tregohen më të vëmendshëm kur bëhet hyrja në kufi e maunave me mallra nga kompani të ndryshme ë eksportojnë në Kosovë.
Kryetari i OJQ-së “Konsumatori”. Selatin Kaçaniku thekson se Kosova nuk është atakuar për herë të parë me problemin e produkteve të dyshimta. Sipas tij, shëndeti i qytetarëve është rrezikuar shumë herë nga produkte të tilla.
Në këto raste Kaçaniku bënë përgjegjës Doganën dhe të gjithë mekanizmat tjerë të mbikëqyrjes dhe inspektimit të tregut që, siç thotë ai, nuk bëjnë kontrolle të detajuara, por i besojnë dokumentacionit që ju prezantojnë kompanitë me rastin e futjes së mallrave të tyre në Kosovë.
“Para dy muajve kemi pasur problemi më naftë kancerorgjene, problemi është krijuar pasi që nafta është lejua të importohet me dokumente përcjellëse jo në bazë të analizave. Kufiri nuk është vetëm për letra, por kufiri është edhe për analiza të hollësishme në mënyrë që ne të jemi të mbrojtur si konsumatorë”, thekson Kaçaniku.
Përfaqësues të AVUK bëjnë të ditur se në kalimet kufitare janë të vendosur inspektorë veterinarë dhe fito sanitarë, të cilët bëjnë kontrollimin e produkteve që hyjnë në vendin tonë.
“Të gjitha produktet që janë konsideruar si të dyshimta, ne i kemi ndaluar dhe për ato që është verifikuar se janë të dyshimta, i kemi asgjësuar dhe vetëm vitin e kaluar shifra e produkteve të asgjësuara, shprehur në kilogramë e kalon 1 milion, ndërsa në litra e kalon mbi 400 mijë litra. Asnjëherë, asnjë produkt që konsiderohet i dyshimtë nuk lejohet të futet në treg për të rënë në duar të konsumatorit”, thekson ai.
Trangujt e importuar nga Shqipëria dhe Maqedonia, produkte të qumështit, domate të importuara, shamponi “Kosil”, domatja, margarina “Vital”, janë disa nga produktet që gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti kishin hyrë në tregun e Kosovës e që më pas ishin ndalur për shkak të cilësisë së dyshimtë. Sinjalet për cilësinë e dyshimtë kishin ardhur nga vendet e rajonit.
Angazhimi për mbrojtjen e konsumatorit kosovar është kërkuar edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë.
Në raportet e tyre ata kishin theksuar nevojën për angazhim më të fuqishëm institucional në këtë drejtim.