Ursula von der Leyen përplaset me Trumpin: Mos ndërhyni në politikën e Evropës
Donald Trump nuk duhet të ndërhyjë në demokracinë evropiane, tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, duke iu përgjigjur kritikave të ashpra të presidentit amerikan ndaj Evropës ditët e fundit. Deklarata e saj erdhi pas publikimit të një Strategjie të re të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së që shkaktoi trazira në Bruksel, shkruan Politico.…
Bota
Donald Trump nuk duhet të ndërhyjë në demokracinë evropiane, tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, duke iu përgjigjur kritikave të ashpra të presidentit amerikan ndaj Evropës ditët e fundit. Deklarata e saj erdhi pas publikimit të një Strategjie të re të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së që shkaktoi trazira në Bruksel, shkruan Politico.
Von der Leyen theksoi se vendimi për udhëheqjen e një vendi u përket vetëm qytetarëve të tij. “Nuk varet nga ne, kur bëhet fjalë për zgjedhje, të vendosim se kush do të jetë udhëheqësi i vendit, por nga populli i atij vendi… Ky është sovraniteti i votuesve dhe duhet të mbrohet”, tha ajo.
“Askush tjetër nuk duhet të ndërhyjë, nuk ka dyshim për këtë”, shtoi ajo, duke komentuar drejtpërdrejt strategjinë kontraverse të SHBA-së të shpallur javën e kaluar.
Çfarë thotë dokumenti i kontestuar?
Strategjia e re e SHBA-së përmban teza që kanë gjetur mbështetje nga e djathta ekstreme në Evropë, siç është kryeministri hungarez Viktor Orbán, por edhe nga Rusia. Dokumenti pohon se Evropa përballet me “zhdukje qytetëruese” në 20 vitet e ardhshme. Ai gjithashtu kritikon përpjekjet evropiane për të shtypur partitë e ekstremit të djathtë, duke i quajtur ato censurë politike, dhe flet hapur për “inkurajimin e rezistencës ndaj trajektores aktuale evropiane brenda kombeve evropiane”.
Von der Leyen theksoi se pikërisht për shkak të kërcënimeve të tilla, BE-ja propozoi një paketë masash të njohur si Mburoja e Demokracisë, e cila synon të forcojë luftën kundër ndërhyrjeve të huaja në internet, veçanërisht gjatë zgjedhjeve, transmeton reporteri.
“Marrëdhënia jonë me SHBA-në ka ndryshuar”
Edhe pse ajo tha se gjithmonë kishte pasur një “marrëdhënie shumë të mirë pune” me presidentët amerikanë, përfshirë atë aktualin, Presidentja e Komisionit tha se Evropa duhej të kthehej nga brenda. “Unë jam një transatlantike e bindur në zemër. Por çfarë është kaq e rëndësishme? Është e rëndësishme që ne… të jemi krenarë që jemi Bashkimi Evropian, që të shohim pikat tona të forta dhe që të përballemi me sfidat që kemi”, tha ajo.
“Sigurisht, marrëdhënia jonë me Shtetet e Bashkuara ka ndryshuar. Pse? Sepse ne po ndryshojmë. Dhe është shumë e rëndësishme të mbajmë mend: cili është pozicioni ynë? Cila është forca jonë? Le të punojmë për këtë. Le të jemi krenarë për këtë. Le të mbrojmë një Evropë të bashkuar. Kjo është detyra jonë… të shohim veten dhe të jemi krenarë për veten tonë”, përfundoi von der Leyen.
Trump: Evropa po shembet
Reagimi nga Brukseli vjen pasi presidenti amerikan e përshkroi Evropën në një intervistë me Politico si një grup kombesh “të dështuara” të udhëhequra nga njerëz “të dobët”. “Mendoj se janë të dobët”, tha Trump për presidentët dhe kryeministrat evropianë, duke shtuar: “Nuk mendoj se ata dinë çfarë të bëjnë. Evropa nuk di çfarë të bëjë”.