Urimet për Krishtlindjet Ortodokse
Presidentja Jahjaga uron qytetarët që Krishtlindjet Ortodokse t’i kalojnë në paqe dhe dashuri. Kryeministri Thaçi, po ashtu, këtë ditë e quan ditë të paqes, dashurisë dhe shpresës.
Lajme
Besimtarët e fesë së krishtere ortodokse kanë marrë urimet e para nga krerët e shtetit për Krishtlindjet Ortodokse Sllave.
Presidentja Atifete Jahjaga ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë që këtë ditë feste ka kalojnë në harmoni, paqe dhe dashuri.
“Të gjithë besimtarëve ortodoksë dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës u shpreh urimet e mia më të përzemërta me rastin e festës së Krishtlindjes ortodokse”.
“Uroj që këtë ditë feste ta kaloni në atmosferë mirëkuptimi e dashurie për njëri-tjetrin, në gëzime, me familjet dhe me më të dashurit tuaj”.
“Gjithashtu, uroj që në këtë ditë të shënuar, në familjet e të gjithë besimtarëve dhe qytetarëve të Kosovës të mbretërojë paqja, lumturia dhe begatia. T’i gëzohemi të arriturave tona të përbashkëta në vitin që po lëmë pas, si dhe të lutemi për një jetë më të mirë e më të begatë në vitin në të cilin sapo kemi hyrë” ka thënë ndër të tjerash në urimin e saj Presidentja Atifete Jahjaga.
Kreu i Qeverisë, Hashim Thaçi, po ashtu, e ka cilësuar këtë festë si një ditë të shpresës, paqes e dashurisë. Ai, në emër të Qeverisë së Kosovës, ka uruar të gjithë besimtarët për Krishtlindjet Ortodokse Sllave.
“Kam nderin që në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, t’ju uroj Festën e Krishtlindjeve Ortodokse, me shpresën që ky vit të jetë vit i mirëqenies më të mirë për të gjithë ne”.
“Krishtlindjet janë një prej festave që i japin shpirt njerëzimit, përmes ringjalljes së shpirtit njerëzor dhe ripërtëritjes së besimit te Zoti. Kjo festë është festë e shpresës, e ngadhënjimit të jetës mbi vdekjen, ditë e paqes, e dashurisë, e njohjes dhe përqafimit të vlerave njerëzore”.
“Kjo ditë le të forcojë besimin tonë dhe të na shërbejë për ngritjen e humanitetit njerëzor, dashurisë dhe adhurimit në hyjnoren, në të madhërishmen, për të qenë më afër rrugës së drejtë”, thuhet në urimin Kryeministrit Hashim Thaçi.