Urgjenca e injoruar

Nuk duhet pra pasë shumë përvojë me zhvillimet në Ballkan, për të konkluduar që koha është në skadim e sipër, kur flitet për arritjen e Marrëveshjes Kosovë – Serbi.

Opinion

30/05/2019 08:27

Këtu nuk ka luftë. Prandaj, nuk duhet të ngutemi. Do të gjindet në ndërkohë një zgjidhje.

Kjo fjali është thënë disa herë, në përshkrim të gjendjes në Kosovë, në qarqet më relevante evropiane, në harkun kohor që lidhë vitin 1996-të me vitin aktual 2019-të.

Kur për herë të parë u artikulua ky qëndrim për Kosovën, menjëherë pas Konferencës paqësore të Daytonit  (për Bosnjën dhe Hercegovinën), ky ishte reagimi i prerë i të gjitha kryeqendrave perëndimore  (me përjashtim Washingtonin), ndaj alarmit të cilit të thuash për çdo ditë Presidenti Rugova dhe Lëvizja për pavarësinë e Kosovës e dërgonte në Perëndim, që ka ardhë koha për ta adresuar çështjen e Kosovës.

Dukej, asokohe, që tema e Kosovës nuk ka kurfarë prioriteti në BE. Pakkush ishte në gjendje ta kuptojë që Kosova është një ‘bombë e kurdisur’ që do të shpërthejë së shpejti, nëse në ndërkohë Perëndimi nuk tregon një vullnet kategorik politik për të ndërmjetësuar në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Lufta shpërtheu, dhe pastaj u bë vonë për ta zgjidhur çështjen e Kosovës vetëm me mjete politike.

Shqiptarët e Kosovës paguan çmimin më të lartë të mundshëm për çlirimin e vendit të tyre.

Për herë të dytë, ky vlerësim mbizotëroi, në këto relacionet në mes të Evropës dhe Kosovës, në vitet 2002-2003, kur Michael Steiner, si Kryeadminustratori i tretë ndërkombëtarë i Kosovës, doli me Planin e tij ‘Standardet para Statusit’, si një lloj të udhërrëfyesit për të mbërri tek dyertë e statusit për Kosovën.

Askush nuk kishte dyshim, në kryeqendrat perëndimore, cili duhet të jetë statusi i Kosovës. Nuk shihej ndonjë opsion tjetër për epilogun e kësaj teme, pos pavarësisë, me një vazhdimësi të pranisë civile dhe ushtarake ndërkombëtare në Kosovë.

Megjithatë, i ishte marrë për të madhe, madje, ishte cilësuar si gabim Plani i Steinerit ‘Standardet para Statusit’, sepse ‘ende ishte herët për tu trajtuar tema e statusit’, dhe sepse ‘këtu  (në Kosovë), nuk ka luftë, KFOR-i e kontrollon situatën, prandaj nuk duhet të ngutemi’.

Kur plasën trazirat e marsit të vitit 2004, u kuptua që më nuk mund të prolongohej procesi ndërkombëtarë që do ta definonte statusin e Kosovës.

Siç do të thoshte qind për qind sakt Ambasadori norvegjez, Kai Eide  (Raportuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annanit), në Raportin e tij, edhe pse vetë ndërmarrja ndërkombëtare e përcaktimit të statusit bartë në vete shumë sprova dhe rreziqe, rreziku më i madh për Kosovën dhe për stabilitetin në rajon është nëse provohet të ruhet Status Quo, mision ky i pamundur, si për kosovarët ashtu edhe për ndërkombëtarët.

Njëzet e tre vjet pasiqë u pati artikuluar ky qëndrimi që mohonte urgjencën si kategorike kohore dhe politike në adresimin e temës së Kosovës, sërish zihet në gojë ky mendim, dhe atë në disa qendra të rëndësishme evropiane, sipas të të cilit këndejpari nuk ka luftë  (dhe as që mund të ketë, shtohet me këtë rast, për shkak të pranisë së KFOR-it dhe ndikimit të Brukselit dhe të Washingtonit në Beograd), prandaj, nuk ka nevojë që të ketë një përshpejtim të dialogut në mes të autoriteteve më të larta të Prishtinës dhe Beogradit, i cili do të duhej të kurorizohej me Marrëveshjen ligjësisht obligative në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Natyrisht, historia nuk përsëritet me të njejtat ngjarje, me të njejtat forma, dhe me të njejtin epilog.

Lufta dhe trazirat nga e kaluara, njëmend nuk duken të mundshme. Por në ndërkohë, situata në Kosovë dhe në rajon ka ndryshuar goxha shumë, për të keq  (jo për të mirë), sa i përket ‘lojtarëve ndërkombëtarë’. Përzierja ruse ka marrë trajtat shqetësuese për stabilitetin afatgjatë të kësaj ane të Evropës. Dihet në çfarë rreziku kanë qenë para disa viteve Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Në anën tjetër, Kosova dhe Serbia kanë mbërri këtë vit në nivelin më të ulët të marrëdhënieve në mes tyre, dhe nuk ka asnjë shenjë të vetme pozitive që ky drejtim problematik dhe i rrezikshëm, mund të ndryshohet.

Më në fund, dihet që Marrëveshja për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë është themel i stabilitetit afatgjatë të Ballkanit Perëndimor.

Nuk duhet pra pasë shumë dije dhe përvojë me zhvillimet në këto anë të Evropës, për të mbërri tek konkludimi që koha është në skadim e sipër, kur bëhet fjalë për arritjen e Marrëveshjes Kosovë – Serbi.

Shkruan: Blerim Shala