Uran Ismaili zotohet për 100 autobusë të rinj dhe zhbllokim të trafikut për 18 muaj në Prishtinë

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka folur për gjendjen e rënduar të transportit publik në kryeqytet, duke theksuar se që nga viti 2016 nuk është blerë asnjë autobus i ri. Ai tha se shumë lagje të Prishtinës nuk mbulohen fare nga linjat urbane, ndërsa aty ku kalojnë autobusët mungojnë stacionet dhe pritoret. Qytetarët…

Lajme

27/08/2025 11:16

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka folur për gjendjen e rënduar të transportit publik në kryeqytet, duke theksuar se që nga viti 2016 nuk është blerë asnjë autobus i ri. Ai tha se shumë lagje të Prishtinës nuk mbulohen fare nga linjat urbane, ndërsa aty ku kalojnë autobusët mungojnë stacionet dhe pritoret.

Qytetarët shprehen të pakënaqur me vonesat dhe menaxhimin e dobët komunal. “Është problem te puna e autobusëve, për arsye se nuk e ke kurrë të sigurt kohën e arritjes, menaxhimi nuk është i duhur në këtë aspekt,” tha një qytetare. Një banor nga Kodra e Trimave shtoi: “Atje nuk kemi as stacion, as kurrgjë, hiç. Na kanë lënë komplet. Është tmerr.”

Përballë kësaj situate, Ismaili ka shpalosur zgjidhjen e tij për tejkalimin e këtij problemi, duke paraqitur planin për transformimin e trafikut urban në kryeqytet:
– Shtim i 100 autobusëve të rinj për të mbuluar të gjitha lagjet.
– Krijimi i korsive të dedikuara për autobusë, ku mundësohet qarkullimi çdo 7 minuta.
– Renovim i stacioneve me ulëse, ndriçim dhe tabela dixhitale informuese.
– Transport publik falas për të gjithë qytetarët deri në fund të mandatit.

“Është koha për një trafik urban që funksionon për të gjithë. Është koha për Prishtinën,” përfundoi Ismaili.