Uran Ismaili nga Mati: Prishtina nuk mund të mbetet peng i inateve politike, qytetarët duan jetë dinjitoze!

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, sot ka prezantuar planin e tij për lagjen Mati, ku është pritur nga një numër i madh qytetarësh. Duke ju drejtuar të pranishmëve, Ismaili tha se Prishtina ndodhet në një udhëkryq vendimtar. “Ju mund të vendosni se a do të shkojmë drejt zhvillimit, apo do të rrijmë në të…

Lajme

30/09/2025 22:38

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, sot ka prezantuar planin e tij për lagjen Mati, ku është pritur nga një numër i madh qytetarësh.

Duke ju drejtuar të pranishmëve, Ismaili tha se Prishtina ndodhet në një udhëkryq vendimtar. “Ju mund të vendosni se a do të shkojmë drejt zhvillimit, apo do të rrijmë në të njëjtin vend, ashtu si 25 vitet e fundit,” theksoi ai.

Ai shtoi se qytetarët e Prishtinës nuk mund të jenë më peng i konflikteve politike dhe akuzave të ndërsjella mes kandidatëve. “Konfliktet politike dhe fajësimet duhet të marrin fund, sepse në këtë mes të vetmit që po e pësojnë janë qytetarët e Prishtinës. Përderisa të tjerët merren me inate politike, qytetarët nuk i kanë kushtet bazike për jetë dinjitoze në kryeqytet.” tha ai.

Ismaili theksoi se ka ardhur koha për një Prishtinë që kujdeset për qytetarët e saj, ku asnjë individ, asnjë lagje e asnjë fshat nuk mbetet anash.

Duke folur për Matin, ai tha se kjo lagje është fytyra e re e Prishtinës, mirëpo ndërtimet e pakontrolluara viteve të fundit nuk janë përcjellur me infrastrukturën sociale dhe publike që nevojitet. “Kjo nuk do të vazhdojë më. Mati dhe qytetarët e saj duhet, dhe do të marrin trajtimin që meritojnë,” u shpreh ai.

Projektet konkrete të Ismailit për Matin përfshijnë:

  • Çerdhe e re për fëmijët e lagjes;

  • Ndërtimi i shkollës së re;

  • Qendër komunitare multifunksionale;

  • Rrugë të sigurta me ndriçim publik;

  • Lagje e pastër 24/7;

  • Lirim i hapësirave publike për trotuare dhe ecje të lirshme;

  • Riorganizim i rrugëve për zhbllokim të trafikut;

  • Krijimi i korridoreve funksionale me lagjet përreth.