Uran Ismaili: Kemi nevojë me dalë nga ky kaos – e kam plan me energjizu Prishtinën
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka folur për angazhimin dhe planin e tij për kryeqytetin në emisionin Pressing në T7. Ai theksoi se katër vitet e fundit nuk kanë qenë mungesë, por kohë e kaluar në takime me qytetarë në çdo lagje e fshat të Prishtinës, me…

Lajme
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka folur për angazhimin dhe planin e tij për kryeqytetin në emisionin Pressing në T7.
Ai theksoi se katër vitet e fundit nuk kanë qenë mungesë, por kohë e kaluar në takime me qytetarë në çdo lagje e fshat të Prishtinës, me qëllim të krijimit të një plani që buron nga nevojat reale, transmeton lajmi.net
“Ky plan tashmë është i gatshëm dhe është më i miri për kryeqytetin”, tha Ismaili, duke shtuar se plani përfshin zgjidhje konkrete për problemet e përditshme të Prishtinës – nga hapja e sheshit “Xhorxh Bush”, tek një program 18-mujor për zhbllokimin e trafikut, ndriçimin e rrugëve dhe krijimin e lagjeve më të pastra e më të sigurta.
Në lidhje me vendimin për të bashkëqeverisur me Përparim Ramën, ai tha: “Ka qenë vendim vetëm për të mirën e Prishtinës.”
Ai tregoi se gjatë kësaj periudhe kishte dërguar pesë drejtorë, si dhe nënkryetaren e parë grua për Prishtinën, të cilët “u treguan shumë të suksesshëm dhe sollën rezultate konkrete, nga arsimi deri te ndriçimi publik”.
Megjithatë, ai e kritikoi ashpër qasjen e qeverisjes në rastin e Badovcit.
“Ne kemi votuar projektet për kryeqytetin që lidhen me arsimin, kulturën dhe sportin, por jo kur janë propozuar shkëmbime tokash në rastin e njohur të Badovcit, në interes të Ramës dhe një grupi të vogël njerëzish, duke dëmtuar qytetarët”, tha Ismaili.
Ai sqaroi se pikërisht këto praktika e shtynë të tërhiqej nga bashkëqeverisja: “Nuk mund të pranonte të vazhdonte qeverisjen në dëm të qytetarëve të Prishtinës.”
Ismaili shpalosi edhe vizionin e tij për motivimin dhe kthimin e energjisë në kryeqytet. “E kam plan me energjizu Prishtinën duke përçuar mesazhin që s’ka nevojë për demoralizim në Prishtinë”, tha ai, duke shtuar: “Kemi nevojë me dalë nga ky kaos… është nevoja me ja dhënë qytetarëve një qeverisje çfarë e meritojnë.”
I pyetur nëse do të përsërisë vizitat intensive në terren si herën e kaluar, ai u përgjigj: “Kësaj here nuk kam nevojë me bujtë, herën e kalume kam deshtë me u mishëru më shumë me problemet e qytetit. Tash kam pas një kohë më të gjatë katër vite, me u përgatitë me zgjidhje më reale”./lajmi.net/