Ura e Ibrit testohet me kamionë të rëndë, zv/ministri i Infrastrukturës thotë se s’janë informuar
Kamionë e mjete të ndryshme dhe instrumente për matje gjeodezike janë parë sot mbi Urën e Ibrit në Mitrovicë. E derisa po kryhen këto testime, Qeveria në detyrë ka thënë se nuk është e informuar se kush po i kryen ato. Lidhur me këtë, lajmi.net, ka kontaktuar me zëvendësministrin në detyrë të Infrastrukturës, Hysen Durmishi,…

Lajme
Kamionë e mjete të ndryshme dhe instrumente për matje gjeodezike janë parë sot mbi Urën e Ibrit në Mitrovicë. E derisa po kryhen këto testime, Qeveria në detyrë ka thënë se nuk është e informuar se kush po i kryen ato.
Lidhur me këtë, lajmi.net, ka kontaktuar me zëvendësministrin në detyrë të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i cili ka thënë se nuk ka ndonjë informacion zyrtar nga askush.
“Ne nuk e kemi asnjë njoftim zyrtar. Ne i kemi përfunduar testimet si ministri”, ka thënë Durimishi për lajmi.net.
Derisa kjo urë ishte testuar vitin e kaluar nga ministria e Infrastrukturës, raportet me rezultate tregonin se ura është stabile për çfarëdo lloj ngarkese që mund të kalojë mbi urë.
Po ashtu Durimishi u pyet se a ka pasur ndonjë njoftim pas shfaqjes së mjeteve të rënda në urë, por siç tregon ai asgjë nuk është dërguar tek ministria.
“Jo, jo, sepse as nuk kanë dërguar njoftim tek ne si ministri. Ata, sigurisht në bazë të informatave jozyrtare që po fliten, po duan të bëjnë testime – sigurisht me i krahasu me testimet tona”, ka thënë ai.
Ndryshe aktualisht ura e Ibrit nuk shfrytëzohet për qarkullim të automjeteve, por vetëm për kalimin e këmbësorëve. /Lajmi.net/