UP-ja e falsifikimeve, 40 raste të reja

Arrestimet e vitit të shkuar të 11 personave, ish-studentë dhe asistentë të Universitetit të Prishtinës nën dyshimet për falsifikime dhe regjistrime të paligjshme, nuk e kanë ndalur këtë dukuri në UP.

Lajme

25/06/2014 11:44

Disa muaj pas arrestimit të tyre, në UP kanë ndodhur së paku edhe 40 raste të tjera të falsifikimeve të kësaj natyre.

Burime të Kohës Ditore brenda UP-së bëjnë të ditur se derisa po punohej në futjen e të dhënave mbi regjistrimin e studentëve në sistemin e teknologjisë informative (IT) në Administratën Qendrore, është parë se një numër i vërtetimeve mbi regjistrimet e studentëve, si dhe të fletëpagesave të semestrave, nuk unifikoheshin me sistemin.

Sipas burimit të gazetës, kur janë grumbulluar dokumentet, validiteti i të cilave tashmë konsiderohej i dyshuar, është parë se që të gjitha janë falsifikuar duke mbajtur vulën dhe nënshkrimin e njëjtë, e në shumë raste edhe numrin amë të njëjtë, por është ndryshuar vetëm emri i studentit që pretendohej të paraqitej si i regjistruar në UP, apo se ka paguar semestrin.